Dërguti jep dorëheqje nga funksionet që mbante në Vetëvendosje

Aida Dërguti

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti ka dhënë dorëheqje nga pozitat që mbante në këtë parti, pasi mediat në Prishtinë kanë publikuar një komunikim të saj me anëtarë të partisë, ku ajo ka fyer rëndë themeluesin e Lëvizjes, Albin Kurti.

Në letrën e dorëheqjes ajo thotë se për shkak të dallimeve me segmente të caktuara në parti, jep dorëheqje nga pozita e kryetares së Qendrës së Vetëvendosjes në Vushtrri si dhe nga pozita e anëtares së kryesisë së partisë.

“Besoj se e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve të Lëvizjes është diskutimi i hapur e me argumente, në vend të instalimit të frikës. Por, gatishmëri për zgjidhjen e problemeve unë ende nuk po shoh”, ka shkruar Dërguti në Facebook.

Ditë më parë në media rrjedhën biseda private të anëtarëve të këtij subjekti politik. Në këto biseda, deputetja e Vetëvendosjes, Aida Dërguti e kishte fyer themeluesin e partisë, Albin Kurti, ditën që ai ishte arrestuar për shkak të shkeljes së masës së arrestit shtëpiak.

Dërguti ka kërkuar falje por shumë simpatizantë të Vetëvendosjes kanë kërkuar largimin e saj nga partia.

Lidhur më këtë problem në selinë e Vendvendosjes kryesia e partisë është duke mbajtur një takim.