Nikolla Gruevski dorëhiqet nga drejtimi i VMRO-së

Nikolla Gruevski

Nikolla Gruevski ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i partisë VMRO DPMNE, e cila ka qeverisur Maqedoninë deri para qershorit të këtij viti kur drejtimin e vendit e mori Lidhja Social Demokrate e kryeministrit aktual, Zoran Zaev.

Gruevski i cili i kishte marrë drejtimin e VMRO DPMNE-së në vitin 2003, i paraqiti dorëheqjen e parevokueshme, Komitetit Drejtues të partisë për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale të muajit të tetor.

Nga 80 komuna, kjo parti arriti të fitojë vetëm se në pesë prej tyre duke shënuar rezultatin më të dobët që nga vendosja e pluralizmit.

Kryetar i ri partisë më të madhe të opozitës do të zgjidhjet në kongresin e jashtëzakonshëm pas dy javësh.

”Komiteti Qendror i VMRO DPMNE-së, vendosi që kongresi partiak të mbahet më 22 dhe 23 dhjetor, në Vallandovë ku do të marrin pjesë 544 delegatë, lista e të cilëve do të publikohet në ueb faqen zyrtare të partisë”, ka thënë para mediave Hristijan Mickovski, Sekretari i Përgjithshëm i partisë.

Për kreun e ri të partisë përmenden disa kandidatura të mundshme, si deputetët Ilija Dimovski dhe Antonio Mislloshoski, ish Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, ish Ministri i Shëndetësisë, Nikolla Dimitrov, Hristijan Mickovski, por edhe emri i ish Kryetarit të partisë, Lubço Georgievski.

Largimi i Gruevskit nga partia ndodhë në momentin kur ai dhe shumë personalitete tjera të saj po përballen me procese gjyqësore për vepra të rënda penale.

Ndaj Gruevskit po zhvillohen së paku katër procese për mashtrime zgjedhore, kurdisje tenderësh, porositje të dhunës ndaj zyrtarëve të LSDM-së e vepra tjera.

Ndërkohë, gjashtë deputetë të VMRO-së po ndiqen edhe për dhunën e ushtruar në Kuvend.

Tre prej tyre janë në paraburgim prej 30 ditësh ndërsa tre të tjerë në burg shtëpiak.

Ata akuzohen për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe të sigurisë publike” në rastin e pushtimit të Kuvendit nga protestuesit që kundërshtonin zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga radhët e shumicës së re parlamentare, por edhe formimin e qeverisë së re nga LSDM-ja. Në paraburgim ndodhet edhe ish ministri i Brendshëm, Mitko Çavkov, i akuzuar për veprën e njëjtë dhe mos ndërhyrjen e policisë ditën e pushtimin e Kuvendit.

Arrestimet janë kundërshtuar nga VMRO-ja dhe Gruevski, i cili ka akuzuar LSDM-në për revanshizëm politik.

Daljen nga gjendja e krijuar, VMRO-ja e sheh në një amnisti për të gjitha personat e ndaluar po që po ndiqen për dhunën në Kuvend, por kjo është kundërshtuar nga LSDM-së e cila kërkon përgjegjësi për atë çfarë kishte ndodhur “të enjten e përgjakshme”, siç njihet dita e pushtimit të Kuvendit, më 27 prill.