Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka thënë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se ai duhet të japë shenja tek palestinezët për ta thyer bllokadën në mes të dy palëve.
Netanyahu gjendet në Paris, pasi nesër do të ketë takim me ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, pak kohë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mori vendim për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.
Duke i dënuar të gjitha aktet terroriste kundër Izraelit, Macron ka thënë se i ka treguar Netanyahut që ai është kundër vendimit të presidentit Trump, duke e cilësuar si, “kërcënim të rrezikshëm për paqe”.
Shtetet evropiane dhe shumë vende të tjera e kanë kritikuar vendimin e administratës së presidentit Trump.
Disa vende kanë qenë të mendimit se statusi i Jerusalemit duhet të jetë pjesë e bisedimeve në të ardhmen.
Netanyahu i është përgjigjur Macronit duke thënë, se sapo palestinezët ta njohin “realitetin” se Jerusalemi është kryeqytet i Izraelit, përpjekjet për paqe do te jenë më të lehta.
“Kjo është shenja që unë ofroj drejt Abbasit, që të ulet dhe të negociojë paqen. Kjo është shenjë për paqe. Asgjë nuk mund të jetë më e qartë”, ka thënë ai, duke iu drejtuar udhëheqësit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.
Kur është pyetur për pakënaqësi të shumta në rajon pas vendimit të presidentit Trump, përfshirë edhe kritikat e rënda të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, Netanyahu ka thënë se ai nuk pranon të marrë leksione të moralit nga lideri turk.
“Shumë vende arabe e dinë se Izraeli nuk është armiku i tyre mirëpo aleat i tyre i domosdoshëm, “, ka thënë ai.
“Shtetet në rajon ende nuk kanë marrëdhënie zyrtare me ne. Këto mund të rriten, por kjo nuk do të thotë se do të ketë paqe formale pa pasur ndonjë zhvillim me palestinezët”.
Ai ka thënë se ka kërkuar të ketë lidhje të ngushta me vendet arabe për të izoluar ekstremistët dhe për ta luftuar Iranin.