Erdogan: Nuk do të zbatohet lehtë vendimi i SHBA-së për Jerusalemin

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, foto nga arkivi.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se vendimet që do të mirren gjatë takimit në Organizatën për Bashkëpunim Islamik (OIC), do të tregojnë se njohja e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga ana e Shteteve të Bashkuara nuk do të jetë lehtë e zbatueshme.

Një zëdhënës i Erdoganit ka njoftuar se OIC do të zhvillojë një takim urgjent në Turqi më 13 dhjetor, për t’u koordinuar, si përgjigje ndaj vendimit të SHBA-së.

E themeluar më 1969, OIC ka 57 anëtare, shumica prej tyre me shumicë myslimane të popullësisë.

“Ne u kemi sqaruar të gjithë bashkëbiseduesve tanë se vendimi i SHBA-së nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe diplomacinë”, ka thënë Erdogan në provincën qendrore të Turqisë, Sivas, duke iu referuar një thirrje telefonike që ka bërë me disa liderë, duke përfshirë presidentin francez, Emmanuel Macron.

“Në programin që do të krijojmë gjatë këtij takimi, ne do të shpalosim sesi vendimi nuk do të jetë aq lehtë i zbatueshëm”, ka thënë ai, duke shtuar se e konsideron të pavlefshëm vendimin e presidentit Trump për Jerusalemin.

Liga Arabe, përmes një deklarate në një sesion emergjent në Kajro, e ka cilësuar vendimin e presidentit Trump, “shkelje të rrezikshme të ligjit ndërkombëtar”, dhe është thënë se do të kërkojnë rezolutë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për ta hedhur poshtë vendimin e SHBA-së.

Liga Arabe ka 22 shtete anëtare aktive.