Putin do të garojë sërish për president

Putin duke njoftuar se do të garojë sërish për president.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, bëri të ditur se do të garojë edhe për një mandat presidencial gjashtëvjeçar në zgjedhjet që do të mbahen në mars të 2018-ës.

“Po, do të garoj për postin e presidentit të Federatës Ruse”, tha Putin.

Ai i bëri komentet në një fjalim para punëtorëve në një fabrikë makinash në Nizhny Novgorod.

Sipas vëzhguesve, popullariteti, kontrolli mbi pushtet dhe shtypja e disidentëve me vite i sigurojnë fitoren.

Putin, 65 vjeç, është në pushtet qysh në vitin 2000 – herë si president, herë si kryeministër.

Me Kushtetutë, ai nuk do të mund të garojë për mandatin e pestë presidencial në vitin 2024.