Veseli siguron përfaqësuesit e BE-së se PDK e mbështetë ratifikimin e Demarkacionit

Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një takime me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe ambasadorët e vendeve të BE-së.

Ai i ka siguruar përfaqësuesit e BE-së se e mbështetë ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, sipas versionit aktual.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Kuvendi, Veseli ka shprehur qëndrimin se kjo marrëveshje duhet të kalojë, në mënyrë që të forcohet sovraniteti i Republikës së Kosovës dhe për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave.

“Qëndrimi im, por edhe i subjektit tim (PDK) që përfaqësoj është i qartë. Marrëveshja me Malin e Zi duhet të ratifikohet. Marrëveshja duhet të kalojë dhe vota jonë është “pro”, siç e kemi thënë në vazhdimësi. Gjithsesi, unë besoj se duhet të ketë një konsensus të plotë për këtë marrëveshje”, theksoi Veseli.

Ai ka kërkuar edhe nga përfaqësuesit e Bashkimi Evropian që veprojnë mëshpejt dhe më qartë sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Takimet e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës me përfaqësuesit ndërkombëtar janë intensifikuar në kohën kur Kuvendi po përgatitet të fus në agjendë shqyrtimin dhe ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Disa subjekte politike, vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë marrëveshje, me çka është vënë në dilemë ratifikimi i demarkacionit. Komisioni Evropian, në anën tjetër, i ka vënë Kosovës si kusht ratifikimin e demarkacionit, për heqjen e vizave.