Papa Françesku do të takojë sot udhëheqësen de facto të Mianmarit, Aung San Suu Kyi, ndërsa më pas do të mbajë një fjalim nga ky vend.
Mianmari, i njohur ndryshe edhe si Birmani, akuzohet për spastrim etnik kundër myslimanëve Rohingya.
Rohingya-t janë një pakicë pa shtet, e cila për kohë të gjatë është përballur me përndjekje.
Mbi 600,000 Rohingya kanë ikur nga Mianmari në Bangladesh prejse ka nisur vala e fundit e dhunës në muajin gusht.
Represioni i ushtrisë ka nisur pas disa sulmeve të kryengritësve Rohingya në shtetin Rakhine dhe Qeveria e Mianmarit i hedh poshtë akuzat se ushtria sulmon civilët.
Papa Françesku, në të kaluarën, ka shprehur mbështetje për, siç ka thënë, vëllezërit dhe motrat Rohingya.