Haradinaj ndjenë keqardhje për arrestimet e deputetëve

Ramush Haradinaj

Pas arrestimit të tre deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka shprehur keqardhje për atë se çfarë u ka ndodhur deputetëve të Kuvendit.

Haradinaj ishte pjesë e opozitës kur me gaz lotsjellës po pengohej ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Ai edhe tash beson se bashkë me Vetëvendosjen e kanë kundërshtuar me të drejtë atë marrëveshje, por ka këshilluar deputetët e Vetëvendosjes se ata duhet të paraqiten në gjykatë.

“Tani e vërteta është se kundërshtonim marrëveshjen që mbetet rrezik për Kosovën.Është rrezik politik. Ne mendojmë që ai rebelim i atëhershëm ka sjellë të mira, ndërsa qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës atëherë ka qenë që meqenëse është kundërshtim politik e jo ligjor, unë mendoj që deputetët që kanë kundërshtuar, nuk kanë pse të mos paraqiten në gjykatë. Ata s’kanë bërë asgjë që meriton me u fshehë. Të gjithë e kemi bërë me vetëdije kundërshtimin”, tha Haradinaj.

Ndërkohë, edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se pamjet si këto nga arrestimi i Kurtit, nuk duhet të përsëriten.

“Unë besoj që ngjarjet e tilla dhe pamjet e tilla nuk duhet të përsëriten, por i ftoj të gjithë që t’i nënshtrohen sundimit të ligjit dhe t’i respektojnë organet e drejtësisë dhe të kërkojnë drejtësi përmes rrugëve ligjore e kushtetuese”, ka thënë Hoti.