Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shfrytëzuar një takim me kongresistin amerikan, Eliot Engel, për të ripërsëritur kërkesën e tij që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen në atë që ai i ka quajtur, temat e hapura të Kosovës.
“Kosova ka ende tema të hapura, por e ka përcaktimin euro-atlantik në temat e mbetura të hapura. Ne e kërkojmë ndihmën e juaj, ndihmën e Amerikës”, ka thënë kryeministri Haradinaj në një konferencë të përbashkët me kongresistin amerikan.
Tutje, Haradinaj tha se Kosova do ta nderojë këtë ndihmë të ShBA-s “me kujdesin më të madh për avancimin e demokracisë, rendit e ligjit, për luftimin e krimit e të korrupsionit, për një Kosovë që është lirë për të gjithë qytetarët e vendit”.
Kjo deklaratë e Haradinajt vjen vetëm pak ditë pasi ai tha se ShBA-ja duhet të luajnë rol kyç në dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë.
Në anën tjetër, kongresisti Engel ka thënë se edhe ai ndjehet mirë kur ShBA-ja është e përfshirë.
“Kryeministri më ka thënë shumë herë se gjithmonë ndjehet më mirë kur SHBA është e përfshirë dhe edhe unë ndjehem ashtu të them të vërtetën”, ka thënë ai.
“E kemi një Qeveri të re në SHBA që ende s’e ka bërë vitin, dhe ende janë duke i zgjedhur disa çështje të tjera të tyre. Por, një gjë që do ta bëj kur të kthehem nga ky udhëtim është që të përpiqem të sigurohem që Amerika ta ketë një përfshirje të sigurt në Ballkan dhe në Kosovë”, ka shtuar ai.
Engel ka lavdëruar edhe procesin zgjedhor të mbajtur të dielën në Kosovë duke thënë se është zhvilluar “një proces i mrekullueshëm”.
I pyetur lidhur me çështjen e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, kongresisti Engel ka thënë se është një çështje e cila duhet të zgjidhet sa më parë.
“Mendoj se Demarkacioni është çështje e rëndësishëm dhe është një prej çështjeve që duhet të zgjidhet. Sa më shpejtë që zgjidhet, aq më mirë do të jetë. Është çështje, nuk është e vetmja, ka edhe shumë çështje të tjera. Jam kundër mbajtjes peng të Kosovës për shkak të kësaj çështje, por megjithatë është çështje se duhet të zgjidhet”, ka thënë ai.
Haradinaj njoftoi se Posta e Kosovës ka vendosur që ta bëjë një pullë postale në nderim të Engel, të cilin e ka konsideruar si mik të Kosovës. Ndërsa Engel i ka dhënë dhuratë atij një flamur të SHBA-së, i cili kishte valuar në Uashigton.
“Faleminderit shumë për nderin e posaçëm të flamurit të ShBA-së, sidomos që ka një domethënie se ka valuar në Uashington, pikërisht në Ditën e Pavarësisë së Amerikës dh e është bërë me dedikim për mua. Vërtetë ky është një gjest i madh”, ka thënë Haradinaj.