Një gjyqtar i lartë në misionin e Bashkimit Evropian, EULEX, që e mbikëqyrë sistemin e drejtësisë në Kosovë, ka dhënë dorëheqje dhe është nën hetime për shkelje të paspecifikuara, ka thënë dje ky mision.
Në kumtesën e misionit EULEX nuk thuhet asgjë për natyrën e hetimit kundër ish-gjyqtarit, Malcolm Simmons, i cili para se të paraqiste dorëheqje, ishte gjyqtar në këtë mision, prej se ai ishte themeluar në vitin 2008. Në vitin 2014, ai ishte emëruar shef i gjyqtarëve në EULEX.
Në shpalljen e dorëheqjes së tij, Simmons, po ashtu, është ankuar kundër EULEX-it.
Ai i ka thënë gazetës franceze, Le Monde në një intervistë të publikuar dje, se ka dhënë dorëheqje pasi as vendi i tij, Britania, e as Bashkimi Evropian, nuk i kanë mbështetur thirrjet e tij për hetimin e “korrupsionit” në këtë mision.
Simmons, po ashtu, i tha kësaj gazete se ai ishte ankuar për “pirateri ndaj imejlit të tij privat nga një gjyqtar tjetër i EULEX-it”.
“E gjithë kjo shkon kundër procedurës normale” i tha Simmons gazetës Le Mond dhe ka shtuar se “ka kërkuar nga zyra e jashtme britanike dhe BE-ja që këtë zhvillim ta referojnë në polici, por kjo është refuzuar”.
Misioni EULEX në Kosovë është përgjigjur duke thënë se “nga Simmons ishte kërkuar që të jepte të gjitha dëshmitë që i ka për t’i mbështetur akuzat e tij, por, për fat të keq, ai këtë nuk e ka bërë ende”.
Simmons në intervistë e ka akuzuar EULEX-in se “është mision politik, e jo mision për promovimin e sundimit të ligjit”.