Rritja ekonomike në Kosovë këtë vit pritet të arrijë në 4.4 për qind, kurse në dy vitet e ardhshme kjo rritje pritet të arrijë në 4.8 për qind, është thënë në prezantimin e raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore.
Sipas raportit, rritja ekonomike në Kosovë është nxitur kryesisht nga investimet, konsumi dhe eksporti.
Marrë në përgjithësi trendi i rritjes ekonomik në Kosovë ka treguar performancë më të mirë sesa vendet e rajonit, tha Agim Demukaj, ekonomist i Bankës Botërore në zyrën në Prishtinë.
Sipas Demukajt, Banka Botërore ka vërejtur se në të gjitha vendet e rajonit, punësimi është kryer në nivelet e para vitit 2008, pra, para krizës globale financiare.