Ligjvënësit e Kongresit të Shteteve të Bashkuara kërkuan nga prokurori i përgjithshëm, Jeff Sessions, të japë detajet që i di për ndërveprimet midis fushatës zgjedhore të presidentit Donald Trump dhe zyrtarëve rusë.
Dëshmia e Sessions përpara Komitetit për Gjyqësi të Dhomës së Përfaqësuesve vjen në kohën kur këshilltari i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Robert Mueller, ka intensifikuar hetimet e këtyre kontakteve të dyshuara me Rusinë.
Çështja është bërë më e tensionuar për Shtëpinë e Bardhë pas akuzave të ngritura kundër një ish-zyrtari të fushatës së Trumpit dhe pasi një tjetër këshilltar i tij e ka pranuar fajësinë për kontakte me zyrtarët rusë.
Këta të fundit dyshohet se kanë ndërhyrë në zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA, për të ndihmuar zgjedhjen e Trumpit president.
Sessions është detyruar të tërhiqet nga mbikëqyrja e hetimeve të FBI-së në fushatën e Trumpit, pasi ai ka dhënë deklarata çorientuese për ndërveprimet e tij, përfshirë kontaktet me ambasadorin rus në SHBA.
Kjo është pasuar me vendimin e Trumpit për të shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey. Trump, më pas, ka emëruar këshilltarin e posaçëm, Mueller. Presidenti vazhdimisht ka shprehur zemërim me hetimet e Muellerit, ndërsa ka kritikuar publikisht Sessions, duke nxitur spekulime se ai mund të shkarkohet.
I pyetur për bisedat e tij me këshilltarin e politikës së jashtme të Trumpit, George Papadopoulos, i cili është takuar me ndërmjetës rusë në Evropë, Sessions tha se atij nuk i është kujtuar fillimisht takimi në mars të vitit 2016.
Ai tha se takimi i është kujtuar pas raportimeve të mediave në lidhje me të.
“Besoj se kam dashur ta bëj të qartë se ai nuk ka qenë i autorizuar ta prezantojë fushatën te Qeveria ruse ose te cilado qeveri tjetër e huaj”, tha Sessions.
Papadopolous ka pranuar se ka gënjyer FBI-në për kontaktet e tij me rusët.
Sessions po ashtu i tha Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve se nuk i është kujtuar takimi me Carter Page, një tjetër këshilltar i fushatës. Page ka deklaruar publikisht se i ka thënë Sessions vitin e kaluar se ai po përgaitet për një vizitë në Rusi.
Sessions ka dhënë dëshmi së paku tri herë në komitete të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve dhe ligjvënësit demokratë kanë vënë në dukje mospërputhjet në deklaratat e tij.
Disa ligjvënës kanë sugjeruar se Sessions mund të ketë bërë vetë dëshmi të rreme.
Disa ligjvënës republikanë po ashtu i kërkuan Sessions të japë informacione për një marrëveshje kundërthënëse të uraniumit, të bërë rreth shtatë vjet më vonë. Marrëveshja ka përfshirë shitjen e të drejtave të disa minierave të uraniumit në SHBA te një kompani shtetërore ruse.
Fondacioni privat bamirës i ish-presidentit Bill Clinton ka pasur lidhje me disa kompani të përfshira në marrëveshje dhe republikanët kanë bërë thirrje për hetime.