Vetëvendosje kërkon drejtësi për Astrit Deharin

Foto nga arkivi

Subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka mbajtur një tubim marsh protestues, me ç’rast është kërkuar drejtësi për vdekjen e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, i cili para një viti humbi jetën në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Me pankarta në duar, si: “Unë jam Astriti”, “Drejtësi për Astritin” dhe brohoritje “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, marshuesit nga Bibliotekës Kombëtare, kanë shkuar pranë institucioneve të Kosovës ku i është bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha autoriteteve shtetërore, që të marrin urgjentisht përgjegjësitë për zbardhjen e rrethanave të për vdekjen e Deharin.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili foli para të pranishmeve i dha afat qeverisë dhe institucioneve që të lejohet një hetim i pavarur dhe ndërkombëtar për Astrti Deharin.

"U japim afat deri me datën 5 shkurt të viti të ardhshëm 2018, që të niset pasi të lejohet hetimi i pavarur ndërkombëtar për Astrit Deharin dhe njëkohësisht të shkarkohen nga funksionet e tyre zyrtarët që ishin përgjegjës e të cilët do ta pengonin një hetim të tillë ndërkombëtar; Dhurat Hoxha, Shpend Maxhuni, Nexhmi Krasniqi, Fatos Makolli, Sylë Hoxha, Metush Biraj, dhe Abdurrahim Islami", tha Kurti.

Pas fjalimeve nw tubimin protestues, aktivistet e Vetëvendosjes kanë gjuajtur ndërtesën e Qeverisë me shishe të mbushura me ngjyrë të kuqe.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, 26 vjeç, ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit të kaluar. Ai po mbahej në paraburgim nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës,i cilësuar si akt terrorist.

Prokuroria pati dalë me prezantimin e ekspertizës ligjore, sipas të cilës, Dehari kishte bërë vetëvrasje.

Një konstatim të tillë e patën kundërshtuar familja e tij, Lëvizja Vetëvendosje dhe avokati i rastit, Tomë Gashi.