Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas dënimit të “Grupit Kumanova" nga Gjykata themelore në Shkup.
Ai ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar në lidhje me këtë rast, duke vënë dyshime në vendosjen e drejtësisë nga drejtësia maqedonase.
“Kemi përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. Drejtësia duhet të vihet në vend, duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë”, thuhet në deklaratën e Haradinajt.
Me këtë rast, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thirrur në konsulta të brendshme ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, ndërkohë që për të njëjtën çështje e ka thirrur për sqarim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë, në Kosovë.
Gjykata Themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.
Për veprën terrorizëm ishin akuzuar gjithsej 37 persona. Prej tyre, gjykata ka dënuar 7 persona me burg të përjetshëm. Nga ky grup, 19 persona janë nga Kosova.