Zgjedhjet lokale të 22 tetorit nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve vlerësohen të këtë shkuar pa ndonjë parregullsi që do të dëmtonin tërë procesin zgjedhor, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.
“Për KQZ-së dita e zgjedhjeve ka shkuar shumë mirë, nuk ka pasur ndonjë parregullsi apo ndonjë incident që do ta dëmtonte integritetin e procesit zgjedhor. Në rastet kur ka pasur ndonjë mangësi në materiale dhe KQZ ka ndërhyrë në kohë të shpejtë dhe ka sanuar gjendjen”, thotë Elezi.
Elezi thotë se numërimi i fletëvotimeve ka përfunduar në vendvotime gjatë mbrëmjes së të ditë së diele, derisa në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke u pranuar materiali i ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat e Kosovës.
“Deri më tani është pranuar materiali i ndjeshëm nga një numër i konsiderueshëm i komunave dhe KQZ është e orientuar në shpalljen e rezultateve përfundimtare në një kohë sa më të shpejtë që është e mundur”, tha Elezi.
Në QNR, shton Elezi, se shpejti do të fillojnë të numërohen votat me kusht, votat që kanë ardhur përmes postës dhe votat të personave me nevoja të veçanta.