Bie numri i të sëmurëve me fruth në Kosovë

QKUK, fotografi nga arkivi

Bazuar në statistikat dhe raportimet e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) vërehet rënie e rasteve të sëmurëve me fruth në Kosovë.

Nga mbi 163 raste të raportuara deri më tani në këtë Klinikë, 130 janë lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore, përderisa pjesa tjetër pas mjekimit të marrë po vazhdojnë të mjekohen në këtë Klinikë.

Nga raportimet në përqindje bëhet e ditur se 75 për qind e rasteve janë lëshuar për në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë që vetëm 25 për qind të tyre janë ndaluar për trajtim të mëtejmë, thuhet në komunikatën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Por sipas raportimeve Klinikës Infektive, javën e fundit vërehet se ka rënë në mënyrë të dukshme numri i rasteve të paraqitur me fruthin.

Klinika Infektive vazhdon ta ketë në gatishmëri stafin 24 orë për të ofruar shërbime shëndetësore, përderisa furnizimi me barna dhe material shpenzues nga ana Ministria e Shëndetësisë për të menaxhuar rastet me fruth është e kënaqshme.