Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, javën e ardhshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Zyra e Presidentit të Kosovës, përmes një komunikate për medie, ka njoftuar se të martën e javës së ardhshme do të bëhet dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga pjesa veriore e Kosovës.

“Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të bëhet të martën, më 24 tetor 2017”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit të Kosovës.

Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri të Kosovës, siç thuhet në komunikatë, “është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve, në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore”.

Në komunikatën e Zyrës së Presidentit të Kosovës, gjithashtu është thënë se me aktin e betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga veriu i Kosovës, bëhet edhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes për Drejtësi, që ishte arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015.