Pacolli: Ratifikimi i demarkacionit momentalisht nuk është i mundshëm

Behxhet Pacolli

Minsitri i jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka deklaruar sot në Podgoricë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, në “këtë moment është i pamudshëm”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se marrëveshja është nënshkruar, por ju lutem të kuptoni dhe të keni durim”, u tha Pacolli gazetarëve në Podgoricë, pas takimit me ministrin e jashtëm të Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq.

Behxhet Pacolli, që është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, ka shpjeguar se ratifikimi i marrëveshjes është momentalisht “i pamundshëm” për shkak të raportit të forcave në Kuvendin e Kosovës.

Ministri i jashtëm malazez, Sërgjan Darmanoviq, tha se pret që institucionet e Kosovës ta ratifikojnë marrëveshjen për demarkacion, raporton agjencia Beta.

“Kemi mirëkuptim për proceset në Kosovë dhe presim që marrëveshja të ratifikohet”, tha Dërmanoviq, duke theksuar se çështja e kësaj marrëveshjeje në Mal të Zi ka përfunduar.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë.

Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa atë e ka kundërshtuar opozita e mëparshme në Kosovë, përfshirë edhe Ramush Haradinajn, i cili tash është kryeministër i Kosovës.