Ministria e Shëndetësisë është organi përgjegjës për furnizimin me barna për të gjitha institucionet publike shëndetësore në Kosovë.
Një përgjegjësi e tillë daton që nga koha kur ishte vendosur që buxheti për barna të bartet nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), në Ministrinë e Shëndetësisë. Alokimi i buxhetit nga një institucion në tjetrin, ka qenë kërkesë e donatorëve dhe është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Rikujtojmë se kontrata e lidhur mes operatorit ekonomik që ka furnizuar Qendrën Klinike Universitare me gaz medicinal "N2O", është lidhur disa vjet më parë, kur kompetencat për furnizim i ka pasur QKUK-ja.
Por, rastet e fundit të tri vdekjeve të dyshimta, që ndodhën në Qendrën Klinike Universitare, sipas hetimeve të para, doli se mund të jenë shkaktuar nga gazi medicinal ‘N2O’, i cili përdoret në sallat operative.
Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Uran Ismaili, deklaroi se dyshimet janë hedhur mbi atë gaz medicinal që është përdorur te pacientët.
“Ne kemi informuar organet e rendit dhe i kemi lutur që të përshpejtojnë situatën duke e marrë parasysh që sa serioze është”, tha Ismaili.
Në anën tjetër, kryeinspektorja shëndetësore, Ardita Baraku, tha për Radion Evropa e Lirë se kompania, e cila ka furnizuar me gaz medicinal QKUK-në, nuk ka poseduar autorizim për marketing të këtij produkti medicinal, përkatësisht të gazit medicinal të njohur si ‘N2o’.
“Sipas informatave të fundit dhe udhëzimit administrativ në shëndetësi, autorizimi për marketing për produkte medicinale, të gjitha duhet regjistrohen dhe produkti medicinal duhet ketë certifikatën dhe autorizimin e marketingut, si dhe të kenë licencën për import të produktit medicinal”.
“Kjo është parë qysh në ditën e parë të përfshirjes së inspektorateve deri në sqarimin e rastit dhe tashmë policia është përfshirë në këtë rast”, bëri të ditur Baraku.
Në Ministrinë e Shëndetësisë jo rrallëherë ka ndodhur që për shkak të mosrespektimit të dispozitave ligjore të Ligjit të Prokurimit Publik, Organi Shqyrtues i Prokurimit ia ka anuluar tenderë të Ministrisë së Shëndetësisë, për artikuj të caktuar gjatë furnizimit me barna nga lista esenciale.
Në këto raste, gjykata ka obliguar autoritetin kontraktues, në këtë rast Ministrinë e Shëndetësisë, që të bëjë ndryshimin e specifikimit teknik, duke mundësuar pjesëmarrje më të gjerë të operatorëve të mundshëm ekonomikë. Kështu kanë thënë zyrtarë nga Departamenti farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë.
Shemsi Veseli, anëtar i Bordit drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se jo rrallë herë ndodh që brenda Qendrës Klinike të furnizojnë operatorë ekonomikë me barna këtë institucion me çmime shumë më të larta se ato reale në treg, si dhe rasti i fundit, furnizim me operatorë ilegalë.
“Mendimi im është se çmimet që vijnë nga ministria për produktet e barnave, kanë çmime më të larta se sa çmimi real në treg. Kam pasur rast ta shoh një ilaç i quajtur Fermibarbiton, i cili kushton 1.5 euro në treg, kurse nga ministria është blerë 9 euro. Është i padiskutueshëm ky fakt pasi që këto blihen me para të taksapaguesve”.
“Besoj që menaxhmenti i ri do t’i marrë parasysh këto parregullsi dhe shkelje dhe do të bëjë përmirësime, sidomos buxheti t’i kthehet QKUK-së”, tha Veseli.
Lista esenciale përpilohet çdo dy ose tre vjet, nga një grup ekspertësh shëndetësorë. Kjo listë për nivelin primar i ka më shumë se 180 artikuj, ndërsa për nivelin sekondar dhe terciar, është shumë më e gjerë.
Buxheti për shëndetësi ndër vite nuk ka pasur rritje dhe kjo ka qenë arsyeja pse shërbimet shëndetësore nuk kanë qenë në nivelin e dëshiruar. Për një vit, Qeveria e Kosovës për shëndetësi ndan rreth 180 milionë euro.