Testi raketor i Koresë së Veriut ndan fuqitë botërore

Ilustrim

Prova e fundit raketore e Koresë Veriore ka ndarë në qëndrime fuqitë botërore, të cilat, vetëm pak ditë më parë, kanë miratuar sanksione të reja kundër Phenjanit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

SHBA tha se barra e reagimit ndaj Koresë së Veriut duhet të bie mbi Kinën, aleaten e saj kryesore, dhe Rusinë, e cila po ashtu ka lidhje me shtetin komunist.

Kina tha se SHBA është duke u shmangur nga përgjegjësia e saj.

Rusia e dënoi, siç tha, retorikën agresive të Uashingtonit, por edhe “veprimin provokues” të Phenjanit.

“Rusia është thellësisht e shqetësuar me provokimin e fundit, i cili mund të rrisë tutje tensionet në Gadishullin Korean”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Raketa e hedhur të premten mbi Japoni ka pasur kapacitet për të goditur territorin e Shteteve të Bashkuara, Guam.

Ushtria jugkoreane tha se raketa ka arritur lartësinë prej 770 kilometrash dhe ka udhëtuar 3,700 kilometra përpara se të binte në Detin Hokaido.

Më 3 shtator, Koreja e Veriut ka testuar bombë hidrogjeni.