Personat që janë shpallur fajtorë me vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit, nuk do të mund të përfshihen në listat zgjedhore të partive politike. Një vendim i tillë tashmë është zbatuar për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 22 tetor në Kosovë.
Kandidatëve të tillë të cilit fillimisht ishin certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më pas iu është anuluar certifikimi.
Me këtë vendim KQZ ka vepruar në bazë të Ligjit për zgjedhjet lokale në Kosovë, ‘ku thuhet se as një kandidat nuk mund të certifikohet nëse është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit’.
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga përfaqësues të shoqërisë civile po konsiderohet një veprim i pritshëm, por i vonuar.
Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se KQZ në rastin e certifikimit të këtyre kandidatëve kishte bërë shkelje të ligjit, por që siç thotë ai, anulimi i certifikimit të tyre është një veprim i duhur.
Musliu merr si shembull njërin nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilit i është mundësuar pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare, por jo edhe në ato lokale.
“Decerfitikimi i cili ka filluar nga KQZ është një veprim i mirëseardhur po gjithsesi i vonshëm. KQZ siç shihet edhe në rastin e kandidatit Zahir Berisha ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme me rastin e certifikimit të tij për zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës”
“Këto vendime si dhe ai vendim duhet të hetohet nga prokurori i shtetit sepse janë vendime të kundërligjshme mbrapa së cilave duhet të shihet cili ka qenë interesi që të veprohet në kundërshtim me ligjin”, thotë Musliu.
Vendimi i KQZ-së për decertifikimin e kandidatëve të cilat janë të dënuar me vepra penale nga Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës konsiderohet se është një nga vendimet më të mira që ka marrë KQZ.
Megjithatë, ai thotë se në të kaluarën KQZ-ja nuk ka përfillur këto dispozita ligjore.
“Një dispozitë e tillë ligjore ka qenë në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme që nga miratimi i tij që nënkupton që KQZ-ja ka injoruar këtë dispozitë ligjore në zgjedhjet paraprake nacionale pasi që disa nga kandidatët e decertifikuar kanë kandiduar të jenë në postin e deputetit mirëpo kjo nuk ka ndikuar që ata të decertifikohen për zgjedhjet e përgjithshme”, thekson Cakolli për Radion Evropa e Lirë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kohë më parë kishte prezantuar një kod për dekriminalizimin e politikës më të cilin pretendohej të iu ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje dhe puna në institucionet e shtetit të gjithë personave që kanë lëndë të hapura nëpër gjykata.
Por, që deri më tani hartimi dhe miratimi i një kodi të tillë nuk është bërë.
Partitë politike përmes kandidimit të personave të cilat janë të përfshirë në vepra penale, sipas Betim Musliu janë duke thënë mesazhin më të keq tek popullata “se realisht programet e tyre dhe individët që po i zgjedhin për t’i udhëhequr ato nuk do të premtojnë qeverisje të mirë”.
Për të pamundësuar pjesëmarrjen në zgjedhje dhe punën në institucionet e shtetit të gjithë personave që kanë lëndë të hapura nëpër gjykata, Musliu thotë se duhet të ketë vullnet politik.
“Kemi propozuar që vetë partitë politike përmes një kodi të përbashkët që do të nënshkruanin do të ofronin alternativë të qeverisjes përmes kandidimin të personave që nuk e kanë asnjë problem me ligjin. Kjo është ekskluzivisht vullnet i partive politike të cilët duhet ta vet rregullojnë oborrin e vet”, thotë Musliu.
Për të pasur një listë të pastër me kandidatë të cilët garojnë në zgjedhjet si lokale edhe të përgjithshme në të ardhmen, Eugen Cakolli thotë se kjo mund të bëhet përmes reformës zgjedhore.
“Ajo duhet të bëhet me reformën zgjedhore që do të duhej të ndodhte në këtë legjislaturë, aty duhet të parashihen se cilat vepra penale duhet të jenë si arsye që kandidatët të mos kenë të drejtë të kandidohen në zgjedhjet, qoftë të përgjithshme qoftë lokale, në mënyrë që listat e kandidatëve të jenë të pastra dhe të jenë shembull për qytetarët se si duhet qeverisur”, thotë Cakolli.
Ndryshe, gjatë të gjitha mandateve paraprake, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ministra të Qeverisë dhe poste nën-ministrore e deri te përfaqësuesit e institucioneve në nivelin lokal, janë ballafaquar në vazhdimësi me aktakuza, gjykime dhe ndjekje penale.
Diplomatë ndërkombëtarë në vazhdimësi iu kanë bërë thirrje partive politike që të mos përfshijnë në lista zgjedhore persona të cilët janë nën hetime.