Ndërpriten linjat e autobusëve Prishtinë – Beograd

Prishtinë, foto nga arkivi

Drejtori i Stacionit të Autobusëve Ylber Çitaku, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se përkohësisht kanë ndërprerë të gjitha linjat e relacionit Prishtinë - Beograd.

Ky vendim, sipas tij, është marrë pasi që siç thotë Çitaku, ‘individë të papërgjegjshëm së fundi kanë blerë bileta dhe gjatë rrugës kanë kërkuar të zbresin nga autobusi’.

“Për shkak të gjendjes së krijuar dhe sjelljeve të pa përgjegjshme të disa individëve të cilët blejnë bileta futen në autobusë dhe gjatë rrugës kërkojnë të zbresin ose nuk futen fare në autobus, me që rast krijojnë situata joserioze, shkaktojnë çrregullim, krijojnë edhe humbje për operatorët transportues”, thotë Çitaku.

Vendimi për ndërprerjen e linjës së autobusëve Prishtinë – Beograd, thotë ai, fillon së zbatuari që nga sot dhe do të zgjasë deri në një njoftim të radhës.