Prokurorë në Serbi i kanë akuzuar pesë persona për torturë dhe vrasje të 20 myslimanëve të Serbisë, gjatë luftës në Bosnjë, në vitet e 90-ta.
Në padi thuhet se paramilitarët serbë më 27 shkurt 1993, e kanë ndalur trenin për Shtërpci, një fshat në kufi me Bosnjën, dhe i kanë marrë 20 persona, shumica myslimanë.
Paramilitarët i kishin dërguar personat në Vishegrad, në lindje të Bosnjës, ku i kishin torturuar dhe vrarë të gjithë ata, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në lumin Drina.
Të gjitha viktimat ishin myslimanë nga Sanxhaku, në pjesën perëndimore të Serbisë.
Në vitin 2014, gjithsej 16 persona të dyshuar, pjesëtarë të ushtrisë paramilitare ishin arrestuar në Bosnjë dhe në Serbi.
Njëmbëdhjetë të tjerë janë në proces gjyqësor, ku vetëm një prej tyre e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me pesë vite burgim në vitin 2016, pas një marrëveshjeje me prokurorët.
Një anëtar tjetër i grupit ishte dënuar me 15 vite burgim në vitin 2002, nga një gjyq në Malit të Zi.
Në vitin 2009, lideri i grupit paramilitatar, Millan Llukiq, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës gjatë konfliktit në Bosnjë, në periudhën 1992-1995. Ai nuk është akuzuar asnjëherë për masakrën e Shtërpcit, por vëllau i tij, Gojko Llukiq, figuron në listën e pesë të akuzuarve.
Nga lufta në Bosnjë, ndërmjet kroatëve, myslimanëve dhe serbëve, gjatë periudhës 1992-1995, jan vrarë rreth 100 mijë vetë.