Liderët e koalicionit PAN, koalicion ky i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, kanë nënshkruar me liderin e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, marrëveshjen për krijimin e institucioneve të reja.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kadri Veseli, lider i PDK-së, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar me zotin Pacolli është marrëveshje për qytetarët e Kosovës dhe për perspektivën e vendit, orientimin e tij perëndimor, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e punësimit të të rinjve.
“Kjo është e mirë për të gjithë qytetarët tanë. Ky koalicion është në shërbim të çdo qytetari dhe është zbatim i vullnetit të 11 qershorit 2017. Në të njëjtën kohë, le të punojmë bashkërisht për të mirën e vendit tonë”.
Formimi i institucioneve të reja, sipas Veselit tashmë është çështje ditësh.
Pacolli ka thënë se interesi nga kjo marrëveshje është dalja prej krizës institucionale. “Jam i bindur se tani, me këtë koalicion, ne do t’i shtyjmë proceset përpara”, tha Pacolli.
I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, ka thënë se marrëveshja i mundëson Kosovës nisjen e nevojshme, për përballje me sfidat që e presin
“Unë besoj shumë që së bashku do t’ia dalim. Mund t’i uroj qytetarët e Kosovës, të gjithë që jetojnë në Kosovë, pra, mund t’i uroj edhe shqiptarët kudo që janë, sepse më në fund Kosova u nis, pra, institucionet e Kosovës. Vonesat kanë qenë shumë të rënda”, tha Haradinaj.