SHBA-ja akuzoi Iranin për kontrabandim ilegal të armatimit

Paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara në kufirin mes Libanit e Izraelit.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e ka akuzuar Iranin për kontrabandim ilegal të armatimit për aleatin e vet, grupin Hezbollah në Liban, dhe ashpër e ka kritikuar komandantin e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara, që i kishte “mbyllur sytë” ndaj këtij aktiviteti.

Ky komandant, gjenerali Michael Beary, i ka kundërshtuar akuzat e bëra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, se Hezbollahu në mënyrë ilegale po depoziton armatim në këtë vend.

Derisa pritet që misionit të përbërë prej 10,500 paqeruajtësve, t’i vazhdoj mandati javën e ardhshme, ambasadorja Haley ka bërë presion për fuqizim të këtij misioni, për ta ndalur rrjedhën e armatimit për Hezbollahun në pjesën jugore të Libanit, afër Izraelit, që për një kohë të gjatë është ankuar për aktivitetet ushtarake të Hezbollahut në atë rajon.

“Prej vitit 2006, ka ekzistuar rrjedhje masive e armatimit ilegal për Hezbollahun, në të shumtën e rasteve ky ishte kontrabandim nga Irani”, u tha mbrëmë Nikki Haley gazetarëve në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.

“Ata hapur i kërcënohen Izraelit”, tha Haley dhe ka shtuar se “Hezbollahu është organizatë terroriste, që është shumë destabilizuese për rajonin”.

Irani dhe Hezbollahu nuk kanë bërë komente të menjëhershme ndaj këtyre akuzave.

Por, gjenerali Beary tha këtë javë se forca e tij nuk ka gjetur dëshmi se armatimet kalojnë ilegalisht në këtë hapësirë.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se Hezbollahu e ka shtuar arsenalin e vet të armatimit dhe Beary “duket se është i vetmi person në pjesën jugore të Libanit, i cili është i verbër ndaj asaj që Hezbollahu po bën atje” dhe ka shtuar se “kjo tregon se ne duhet të kemi ndryshime” në këtë mision.

“Koha është që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të merret më tepër me këtë operacion paqeruajtës”, tha Haley dhe ka shtuar se “nuk na duhet që terroristëve t’u jepet kalim”.

Rusia dhe Franca konsiderojnë se nuk ka nevojë për ndryshime në këtë mandat paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara, thonë diplomatët në Kombet e Bashkuara.

Përgatiti: Fatmir Bujupi