Deklaratë e Ambasadave të Britanisë dhe SHBA-ve për Këshillin Gjyqësor të Kosovës

Pamje e një pjese të Prishtinës

Ambasadat e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, thonë se “janë në dijeni për emërimet e fundit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të kryetarit të Gjykatës së Apelit, si dhe të kryetarit të Gjykatës Supreme, pas anulimit nga Gjykata Kushtetuese, të procesit të mëparshëm të emërimeve”.

Mëtutje në deklaratën e publikuar, theksohet se përfaqësuesit e ambasadave “i sugjeruan KGJK-së përmirësimet që do të mund t’i bënte në procedurat e saj për emërim, për të ndërtuar besimin e opinionit publik në sistemin e drejtësisë” dhe shtohet se mirëpritet fakti “që pas rishikimit të rregulloreve, KGJK i ka miratuar disa prej këtyre propozimeve”.

Në deklaratë, po ashtu, theksohet se “megjithatë, ne jemi të zhgënjyer me vendimin që votimi të mbahet i fshehtë. Besojmë se votimi i hapur do të dërgonte sinjal të fortë të përkushtimit të KGJK-së ndaj parimeve të transparencës, meritokracisë dhe llogaridhënies”.

“Për fat të keq, shikuar procesin e përsëritur të përzgjedhjes për këto pozita nga këndi ynë, na ka bërë që sërish të vëmë në dyshim përkushtimin e sinqertë të KGJK-së ndaj këtyre parimeve. Mungesa e çfarëdo diskutimi domethënës për meritat e kandidatëve në listën e ngushtë do të thotë se një pjesëtar i publikut, që i ka ndjekur këto procese nuk do të mund të kuptonte përse një kandidat parapëlqehet para një tjetri”, thotë deklarata, dhe shpjegohet se “arsyetimi me shkrim i dhënë nga KGJK-ja më pastaj, fare nuk e korrigjon këtë përshtypje. Duhet të theksojmë që brenga jonë ka të bëjë me transparencën e procesit, e jo me kandidatët veç e veç”.

“Duke marrë parasysh pozitën thelbësisht të rëndësishme që KGJK-ja e zë në sistemin e drejtësisë të Kosovës, ajo duhet të udhëheqë me shembullin e saj. Kjo gjë kërkon përkushtimin e të gjithë anëtarëve të KGJK-së dhe lidership të fuqishëm nga kryesuesi.

Presim të punojmë me KGJK-në për të përparuar në arritjen e kësaj”, thuhet në fund të deklaratës së Ambasadave të Mbretërisë së Bashkuara dhe të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.