Lidhja Demokratike e Kosovës ka kumtuar se nuk do të merr pjesë më në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, të filluar që nga 3 gushti, po që se paraprakisht nuk arrihet një marrëveshje që garanton zgjedhjen e institucioneve të reja.
Këtë qëndrim e ka prezantuar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një konferencë për media.
Ai tha se janë dy persona që po e mbajnë peng konstituimin e institucioneve të reja, duke apostrofuar liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kandidat për kryetar të Kuvendit dhe Ramush Haradinajn, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kandidat për kryeministër.
Hoti ka kritikuar edhe Lëvizjen Vetëvendosje, e cila sipas tij, deri vonë e ka sulmuar edhe fizikisht kryeministrin në largim dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, kurse tani kërkon koalicion pa e sqaruar pozicionin e saj në raport me LDK-në.
Në këso rrethana politike, Hoti ka kërkuar që për vazhdimin e seancës konstituive, është e domosdoshme një marrëveshje politike e cila garanton formimin e institucioneve dhe jo vazhdimin e një seance e cila, sipas tij, po shihet se nuk prodhon ndonjë rezultat, pasi që koalicioni PAN (PDK, AAK dhe Nisma) nuk e ka shumicën parlamentare.
Ai tha se pjesëmarrja e LDK-së në Qeverinë e ardhshme do të mundësohej vetëm nëse asaj i besohet drejtimi i Qeverisë, përkatësisht posti i kryeministrit.