Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të mbyllë qeverinë, nëse një gjë e tillë është e nevojshme për të ndërtuar murin në kufi me Meksikën.
Duke folur para mbështetësve në Feniks të Arizonës, Trump tha se demokratët opozitarë janë “pengesë”.
Gjatë fjalimit 80-minutësh, Trump i akuzoi edhe mediat, duke thënë se ato u kanë dhënë “platformë” grupeve të ekstremit të djathtë.
Trump tha se mund t’i japë fund Nafta-s, një marrëveshje tregtare kjo me Meksikën dhe Kanadanë.
Duke u ndalur te Koreja e Veriut, Trump tha se shpreson se do të zvogëlohen tensionet rreth programit bërthamor të Phenjanit.
Derisa komentet janë mirëpritur brenda qendrës së konferencës, protestuesit anti-Trump, që janë mbledhur jashtë saj, janë përleshur me policinë.
Policia ka përdorur gazin lotsjellës pasi protestuesit kanë hedhur shishe dhe gurë në drejtim të saj.