Stavileci: Koalicioni PAN nuk do të marrë pjesë në seancën e së premtes

Kuvendi i Kosovës

Përfaqësuesit e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, përmes një konference për medie, kanë deklaruar se nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila është paralajmëruar për ditën e premte.

Blerand Stavileci nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e koalicionit PAN, ka thënë se gjatë seancës konstituive të Kuvendit, nuk janë respektuar rregullat demokratike. Ftesa për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit për ditën e premte, sipas tij, është bërë në mënyrë arbitrate, jodemokratike, pa u konsultuar me të gjitha partitë politike dhe deputetët e koalicionit PAN nuk do të marrin pjesë në një seancë të tillë.

“Qëndrimi i koalicionit tonë është: jo. Ne këtë e kemi thënë dhe e kemi shprehur se askush nuk mundet në mënyrë arbitrare dhe autoritare ta bëj një ftesë të tillë. E kemi parë edhe sot se si e ka dhunuar atë foltore dhe si janë bërë gabimet. Ne e kemi kërkuar shtyrjen e ata e kanë mbyllur seancën”.

Stavileci ka thënë se përderisa ka presione publike dhe private ndaj deputetëve të caktuar nga grupe dhe individ të caktuar, koalicioni PAN nuk do të kthehet në seancën konstituive të Kuvendit.