Kina dhe Rusia reagojnë pas akuzave të Trumpit për Korenë V.

Ambasadori kinez në OKB, Liu Jieyi

Rusia dhe Kina i kanë treguar qëndrimet e tyre pas deklaratave të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se këto dy vende nuk po bëjnë asgjë për të ndaluar ambiciet e Koresë Veriore rreth armëve bërthamore.

Koreja Veriore, gjatë javës së kaluar e ka testuar me sukses një raketë balistike interkontinentale, e cila është thënë të ketë kapacitet për të arritur në tërë tërritorin e SHBA-së, andaj presidenti Trump përmes Twitterit ka thënë se është “ shumë i zhgënjyer” me Kinën që po nuk po bën “asgjë”, për të ndihmuar SHBA-në, që ta ndëshkojë Penjanin.

“Ne këto i shohim si përpjekje të paarsyeshme nga ana e SHBA-së dhe një numri të shteteve të tjera, të cilat pothuajse fajësojnë Moskën dhe Pekinin, për ambiciet bërthamore të Penjanit”, ka thënë ministria e Jashtme e Rusisë.

Sipas kësaj ministrie, “ka qenë Federata Russe dhe Republika Popullore e Kinës, që kanë krijuar një hartë të përbashkët e cila përjashton çdo përdorim të forcës ose kërcënim për përdorimin e saj dhe parashikon një zgjidhje gjithëpërfshirëse për të gjitha problemet e gadishullit korean, duke përfshirë problemin bërthamor, përmes metodave diplomatike ".

Kjo ministri u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të rifillojnë "menjëherë” dialogun.

Kina po ashtu ka reaguar ndaj akuzave të SHBA-së, duke thënë se Uashingtoni dhe Penjani e mbajnë “përgjegjësinë kryesore” për përshkallëzimin e tillë të tensioneve.

Sipas ambasadorit kinez në OKB, Liu Jieyi, të dyja këto vende i kanë injoruar thirrjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të tejkaluar tensionet dhe për të nisur negociata të reja, sipas propozimeve të Pekinit dhe Moskës.