LDK, AKR dhe Alternativa: Nuk ka marrëveshje me PAN-in dhe Haradinajn

Billbord i LDK-së

Partitë e koalicionit LAA, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa kanë rikonfirmuar se nuk kanë lidhur asnjë marrëveshje, qoftë si parti politike apo si deputetë veç e veç me ndonjë prej subjektevepolitike që synon formimin e Qeverisë së ardhshme.

Krerët dhe përfaqësuesit e këtyre partive kanë zhvilluar sot një takim dhe më pas kanë demantuar se është arritur ndonjë marrëveshje me Koalicionin PAN.

I kandiduari për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti tha se LDK mbetet unike në qëndrimet e saj. Kurse deklaratat nga koalicioni PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma) për marrëveshje me disa nga deputetët e LDK-së për formimin e Qeverisë, Hoti i ka cilësuar si spekulime.

“Jemi koalicion i palëkundur. I kemi 29 deputetë. E kemi bërë të qartë dhe i lus të gjithë që të lënë konspiracionin”, tha Hoti.

Ai ka thënë se LDK me partitë partnere dhe Lëvizja Vetëvendosja janë ato që do të bëjnë Qeverinë, pas dështimit të Haradinajt.

Edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli tha se kjo parti i mbetet besnike bashkimit me LDK-në e Alternativën.

Edhe Pacolli tha se nuk ka asgjë të vërtetë që dikush nga AKR-ja do ta votojë Ramush Haradinajn nga koalicioni PAN për kryeministër të Kosovës.