Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, ka propozuar që Traktati i Komunitetit të Transportit për vendet e Ballkanit Perëndimor, i nënshkruar të mërkurën në tristë të Italisë, ta ketë selinë në Kosovë.
“Deri më tani nuk kemi arritur që të kemi asnjë seli të programeve të cilat i kemi realizuar bashkërisht në suaza të bashkëpunimit tonë me vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Mustafa duke arsyetuar propozimin e tij.
Kryeministri Mustafa dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në praninë e liderëve të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Transportit, marrëveshje kjo e cilësuar me rëndësi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit si dhe në raport me BE-në dhe shtetet e saj.
Në takimin qendror ku Republika e Kosovës përfaqësohej nga kryeministri Isa Mustafa, ishin të pranishëm edhe kryeministri i Italisë, njëkohësisht organizatori i Samitit, Paolo Gentiloni, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, sekretari i shtetit për Punë të Jashtme të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, si dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini e personalitete tjera.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa fillimisht foli për rëndësinë e kësaj iniciative e cila ka krijuar një perspektivë të rëndësishme të bashkëpunimit dhe të komunikimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
"Unë shpresoj shumë që ky bashkëpunim do të na përgatis në rrugën e integrimit tonë në Bashkimin Evropian, dhe nuk e shoh në asnjë rast si formë të zëvendësimit të përkohshëm të kësaj rruge tonë", tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa më tej theksoi të arriturat dhe zhvillimet aktuale në Kosovë.