Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë mbajtur stërvitje të përbashkëta me raketa balistike, një ditë pasi Koreja e Veriut ka testuar një raketë me rreze të gjatë veprimi.
Ekspertët besojnë se arma e Koresë Veriore mund të arrijë Alaskën.
“Vetëpërmbajtja është ajo që ndan armëpushimin dhe luftën. Do të ishte gabim i madh për Veriun nëse mendon ndryshe”, thanë në një deklaratë të përbashkët ushtria amerikane dhe ajo jugkoreane.
Kina dhe Rusia u kanë bërë thirrje të dyja palëve që të ndalojnë të tregojnë muskujt ushtarakë, ndërsa kanë theksuar se kundërshtojnë përpjekjet për ndryshimin e regjimit në Korenë e Veriut.
Phenjani tha të martën se ka testuar me sukses një raketë balistike ndërkontinentale.
Megjithatë, shumica e ekspertëve besojnë se Veriu nuk ka ende kapacitet që të bartë koka bërthamore në distancë të largët.
Lëshimi i raketës, i fundit në një seri testesh, ishte në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.