Besimtarët myslimanë në Kosovë po kremtojnë festën e Fitër Bajramit.
Shënimi i kësaj feste ka nisur në orët e para të mëngjesit të së dielës në të gjitha xhamitë në Kosovë, ndërkohë që manifestimi qendror është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Festa e Fitër Bajramit ka pasuar muajin e shenjtë të Ramazanit, gjatë së cilit, sipas besimit islam, agjërohet 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.
Mesazhin kryesor për festën e Fitër Bajramit e ka adresuar myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Duke u uruar të gjithë besimtarëve festën e Fitër Bajraimit, ai ka bërë thirrje për paqe dhe tolerancë, mirësisë e dashuri ndërmjet njerëzve.
“Në këtë ditë feste e krenarie që rikujton edhe shëmbëlltyrën e njeriut më të dashur të Zotit, shëmbëlltyrën e Muhamedit a.s, i cili botës i solli paqe, lumturi dhe harmoni duke reflektuar në vazhdimësi ndjenjën e vëllazërisë dhe barazisë mes njerëzve, emri i të cilit është sinonim i paqes, i dritës, udhëzimit, harmonisë dhe arsimit”.
“Nisur nga kjo, kërkoj nga ju që të largoheni nga çdo punë e ligë dhe të shtrini dorën e pajtimit, ta ndihmoni njëri-tjetrin, të përkujdeseni për të varfërit e për jetimët”, ka thënë Tërnava.
Ai ka shtuar se ka një rrugë të vetme dhe ajo është rruga e paqes, harmonisë dhe respektit ndërmjet njerëzve.
Myftiu Tërnava në mesazhin e tij ka bërë thirrje që të ngrihet zëri dhe të ruhet islami i pastër dhe të mos devijohen parimet e tij.
“Dashakeqët e njerëzit e shitur, duke përdorur strategji prej më të ndryshmeve, arritën të fusin në mesin tonë njerëz, të cilët në emër të fesë së pastër islame, mbollën paqartësi e urrejtje mes besimtarëve duke shtrembëruar dhe keqinterpretuar parimet e pastra e të drejta islame me teza joreale. Për ta ruajtur porosinë hyjnore dhe mësimet e Muhamedit a.s nga çdokush që tenton t'i devijojë ato, duhet ta ngremë zërin dhe të themi që islami është i pastër nga çdo gjë e ligë që tashmë i vishet islamit”.
Tërnava, një mesazh të veçantë ka adresuar edhe për liderët politikë të Kosovës. Ai ka kërkuar nga ta që t'i lënë anash interesat dhe të punojnë në të mirë të vendit.
“Të punojmë bashkë dhe pa hile, në çuarjen përpara të proceseve në të mirë të vendit, të atdheut tonë. Në këtë ditë feste, apelojmë me urtësinë e zemrës te të gjithë faktorët politikë që të lënë anash interesat partiake personale e grupore, e të angazhohen në ruajtjen e unitetit veprues në të mirë të vendit dhe popullit, sepse para vetes kemi shumë sfida”, ka theksuar Tërnava.
Bashkësinë Islame dhe të gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë i kanë uruar edhe udhëheqësit më të lartë të institucioneve të vendit.
Kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar që harmonia, solidariteti dhe mirëkuptimi të zotërojë në Kosovë.
“Kjo është festë që të gjithëve na bën bashkë, jo vetëm simbolikisht në një tryezë, por edhe mendësisht që ne bashkërisht të shkojmë përpara, që t'i zgjidhim të gjitha problemet që janë probleme të qytetarëve tanë, që të jetojmë më mirë, që t'i respektojmë vlerat themelore të një shoqërie, që të punojmë për paqe, për stabilitet dhe për mirëqenie të gjithë qytetarëve tanë”, ka thënë Mustafa.
Besimtarët myslimanë në Kosovë i ka uruar edhe Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.
“Jam këtu që të uroj bashkësinë islame, të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Bajramit, për t'i përgëzuar për sakrificën që kanë bërë gjatë këtij muaji dhe për të uruar që Zoti t’i shpërblejë të gjithë. Paqe, bekim, mirësi, mirëqenie dhe dashuri mes njëri-tjetrit”, ka thënë Dodë Gjergji, pas vizitës që i ka bërë myftiut të Kosovës.
Për festën e Fitër Bajramit, Bashkësinë Islame dhe qytetarët e besimit myslimanë i kanë përgëzuar edhe liderët e partive politike të Kosovës dhe përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë.