Emërimi i një gruaje në krye të Qeverisë së Serbisë ishte gjëja e parë që habiti shumëkënd. Fakti se Ana Brnabiq është lezbike e hapur, e bën këtë veprim edhe më të habitshëm.
Brnabiq u emërua nga Aleksandar Vuçiq, i cili liroi postin e kryeministrit për t’u bërë president.
Në shikim të parë, emërimi që bëri Vuçiq duket i çuditshëm, sidomos në një vend si Serbia, i cili ka reputacion jo të mirë kur bëhet fjalë për të drejtat e homoseksualëve.
Por, Vuçiq - dikur ultranacionalist dhe anëtar i kabinetit të Sllobodan Millosheviqit - e ka proklamuar veten si reformator, i cili është i angazhuar në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Dhe, emërimi i Brnabiqit shihet nga disa si përpjekje për të qetësuar frikën nga pabarazia në shoqërinë serbe dhe nga lëvizja e mundshme e Serbisë larg Perëndimit, kah Rusia.
“Emërimi i Brnabiqit është vazhdim i politikës së Vuçiqit për evropianizim taktik”, tha Koen Slootmaeckers, analist në Universitetin Queen Mary në Londër.
Brnabiq, pro-evropiane e vendosur, e shkolluar në Perëndim, i është bashkuar Qeverisë së Serbisë në vitin 2016 si ministre e Administratës Publike dhe e Vetëqeverisjes Lokale.
Emërimi i saj në qeveri është cilësuar si historik nga grupet e të drejtave të njeriut, pasi komuniteti homoseksual në Serbi rregullisht përballet me diskriminim, keqtrajtim dhe dhunë.
Por, vetë Brnabiq e ka minimizuar rëndësinë historike të ngritjes së saj në jetën publike.
“Nuk dua të identifikohem si ministre lezbike”, ka thënë ajo.
Sipas Komisionarit për Mbrojtjen e Barazisë, një hulumtim i vitit 2012 ka treguar se 48% e serbëve besojnë se homoseksualiteti është sëmundje.
Në maj të vitit 2014, organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International ka thënë se Serbia ka mungesë të theksuar të vullnetit për të trajtuar homofobinë.
Në paradën e homoseksualëve në Beograd, më 2010, 150 njerëz janë plagosur kur nacionalistët i kanë sulmuar marshuesit dhe janë përleshur me policinë. Dhuna ka bërë që parada të mos mbahet në tre vjetët pasues, për t’u rikthyer më pas nën masa të gjera të sigurisë.
Serbia ka rreth shtatë milionë banorë, shumica e të cilëve janë të krishterë ortodoksë me pikëpamje konservatore.
Por, qeveria ka qenë e etur për të treguar tolerancë për pakicat, përfshirë komunitetin homoseksual, prejse ka nisur bisedimet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian në vitin 2020.
Dhe, grupi opozitar i krahut të djathtë Dveri, i cili ka lidhje të ngushta me Kishën Ortodokse Serbe, tha se emërimi i Brnabiqit është bërë nën presionin e Perëndimit.
Për më tepër, edhe partnerët e koalicionit të Vuçiqit kanë reaguar me zemërim.
Partia Përparimtare e Vuçiqit ka 102 ulëse në legjislaturën prej 250 vendesh. Ndonëse koalicioni qeverisës ka shumicën, disa ligjvënës janë revoltuar hapur, por Vuciq ka këmbëngulur se “gjithçka do të jetë në rregull”.
“Kam vetëm një fjali: Ana Brnabiq nuk është kryeministrja ime”, ka thënë kreu i Partisë Serbia e Bashkuar, Dragan Markoviq – Palma, për agjencinë Beta, duke shtuar se ai nuk do të miratojë dikë në postin e kryeministrit që nuk i ka së paku dy fëmijë.
Nuk ka ende datë zyrtare për votimin e Brnabiqit në Parlament dhe disa thonë se procesi do të shtyhet për javën e ardhshme, për t’i dhënë kohë Vuçiqit që të sigurojë mbështetje më të gjerë për të.
Nëse dështon miratimi i Brnabiqit, e cila nuk është anëtare e Partisë Përparimtare, por konsiderohet besnike e Vuçiqit, Serbia ka gjasa të shkojë në zgjedhjet e treta të parakohshme në pesë vjet.