OKB: 65 milionë persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre më 2016

Ilustrim

Agjencioni i refugjatëve të Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se numri i personave të zhvendosur nga shtëpitë e tyre anembanë botës ka arritur në 65.6 milionë vitin e kaluar, pas konfliktit në rritje në Sudanin e Jugut.

Numri i përgjithshëm i personave të zhvendosur në mbarë botën, është rreth 300,000 më i lartë në fund të vitit 2016 sesa në fund të 2015-tës dhe në këtë numër përfshihen refugjatët, azilkërkuesit dhe njerëzit e zhvendosur brenda vendeve të tyre, ka thënë Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

"Megjithëse këto shifra tregojnë ndërrime të vogla në krahasim me vitin e kaluar, shifra relativisht të qëndrueshme paraqesin një situatë shumë të paqëndrueshme," ka thënë shefi i agjencisë Filippo Grandi.

Lufta civile gjashtëvjeçare e Sirisë ka mbetur burimi më i madh i zhvendosjes, me 12 milionë njerëz - rreth dy të tretat e popullsisë.

Ata u pasuan nga rreth 7.7 milionë kolumbianë, 4.7 milionë afganë, 4.2 milionë irakianë dhe 3.3 milionë sudanezë të jugut.

Siria është vendi i vetëm në të cilin shumica e popullsisë është zhvendosur me forcë.