Rreth 200 milionë euro për shërim jashtë Kosovës

QKUK

Shuma e parave që qytetarët e Kosovës shpenzojnë për trajtim jashtë vendit ka arritur në 200 milionë euro në vit. Këto shifra i ka bërë të ditur kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, duke potencuar faktin se çdo vit kjo dukuri po shënon rritje.

“Banka Botërore ka dalë me raport, ku thuhet se mbi 100 milionë euro në vit shpenzohen nga qytetarët jashtë vendit për trajtime mjekësore. Por, ne konsiderojmë se edhe 100 milionë të tjera dalin jashtë Kosovës për të njëjtën gjë”.

“Në qoftë se kthehemi tek statistikat që i ka dhënë shteti i Kosovës, nga 1.5 milionë sa ka qenë para tre vitesh, tashmë kjo shumë ka arritur në 8 milionë euro për trajtim jashtë vendit në Ministrinë e Shëndetësisë. Këto janë shifra marramendëse sipas nesh”, ka thënë Syla.

Në Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë në largim të Kosovës, thonë se këtë vit janë ndarë mbi 5 milionë euro për programin e trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Janë 30 mijë euro të ndara për një pacient, si shumë maksimale që pacienti mund të përfitojë nga Ministria, për trajtim jashtë Kosovës.

Lulzim Uka, zyrtar për informim, tha se aplikimet më të shpeshta për trajtim jashtë Kosovës janë për kardiokirurgji, sëmundjet malinje, ortopedi.

“Në bazë të raportit që na është përcjellë, për kërkesat që kanë bërë pacientët deri në muajin maj të këtij viti, janë 430 aplikime. Janë 230 raste urgjente, të cilat kryesisht janë për kardiokirurgji”, ka thënë Uka.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit 2016, ka ndarë rreth 6 milionë euro për programin e dërgimit të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Në vitin 2016, kanë qenë 1958 aplikime për shërbime shëndetësore jashtë Kosovës, të formave të ndryshme. Prej tyre, kanë përfituar 1.100 pacientë.

Kurse, shpenzimet për mbulimin e këtyre rasteve kapin shifrën prej 8 milionë euro. Rreth 2 milionë euro, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë shpenzime shtesë dhe janë bartur si borxh për këtë vit.

Në anën tjetër, zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, ka bërë të ditur se rastet që nuk trajtohen brenda kësaj qendre, si institucion terciar referent për tërë Kosovën, referohen për trajtim jashtë vendit.

Ai ka thënë se në kuadër të secilës klinikë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ekziston konsiliumi prej tre anëtarësh dhe drejtorit të klinikës, që shqyrtojnë sëmundjet që duhet trajtuar jashtë institucioneve publike shëndetësore.