Afër një e treta e popullsisë në botë vuan nga mbipesha, si dhe një numër i madh i njerëzve vdesin nga problemet shëndetësore, shkaqe të cilat sipas një raporti të publikuar sot, konsiderohen si “shqetësuese për krizën globale të shëndetit publik”.
Bazuar në këtë raport, rreth katër milionë persona kanë vdekur nga sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, kanceri dhe sëmundje të tjera të ndërlidhura me peshën gjatë vitit 2015.
“Personat, të cilët shtojnë peshë, e rrezikojnë veten e tyre”, ka thënë Christopher Murray, njëri nga autorët e raportit të publikuar nga New England Journal of Medicine.
Në vitin 2015, shtimi i peshës ka prekur 2.2 miliardë persona, ose rreth 30 për qind të popullsisë së botës”, thuhet në raport.
Në hulumtimin, që është zhvilluar në 195 vende, pothuajse 108 milionë fëmijë dhe më shumë se 600 milionë të rritur vuajnë nga mbipesha.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i personave me mbipeshë, është dyfishuar nga viti 1980, duke arritur nivele epidemike.
Sipas raportit, mbipesha ka qenë më e shprehur tek fëmijët, se sa tek të rriturit në disa vende duke përfshirë, Algjerinë, Turqinë dhe Jordaninë.
Në anën tjetër, bazuar në Kombet e Bashkuara, rreth 800 milionë njerëz, duke përfshirë 300 milionë fëmijë, janë të uritur çdo ditë.
Dietat e pashëndetshme dhe mënyra e jetesës, kanë qenë ndër arsyet kyçe, që kanë ndikuar në rritjen e mbipeshës, kanë thënë ekspertët.
“Njerëzit, po konsumojnë çdo herë e më shumë ushqim të procesuar, i cili përmban shumë sheqer, si dhe ata secilën herë po ushtrojnë më pak”, ka thënë nutricionisti Boitshepo Bibi Giyose, anëtar i Organizatës për Ushqim dhe Agrikulturë, në kuadër të Kombeve të Bashkuara.