NATO-ja sot e ka mirëpritur Malin e Zi si anëtarin më të ri, me ceremoninë e ngritjes së flamurit malazez në selinë e aleancës në Bruksel.
“NATO-ja është një aleancë e demokracive, e bashkuar nga qëllimi i vetëm: të qëndroj me secilin dhe ta mbrojë njëri-tjetrin”, tha sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.
Ai këtë e ka vlerësuar si “ditë historike”.
“Mali i Zi i bashkohet NATO-s si i barabartë, me ulëse në tavolinën tonë dhe me zë të njejtë në krjimin e të ardhmes së aleancës”, tha Stoltenberg.
Ai e ka uruar presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, dhe popullin malazez për “çdo gjë që ka arritur”.
Mali i Zi u bë anëtar me të drejta të plota në NATO, në ceremoninë e pardjeshme në Uashington.
Rusia e ka kritikuar pranimin e Malit të Zi në NATO, ndërsa ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka vëlerësuar dje se Mali i Zi ishte “tërhequr në NATO”, ndërsa ministria e tij tha se Moska e rezervon të drejtën për të ndërmarrë “masa hakmarrëse” ndaj asaj që kjo ministri e ka vlerësuar si “histeri anti-ruse” atje.