Administrata në shërbim të politikës

Ilustrim

Maqedonia ka administratë të ngarkuar me numër të madh të punonjësve, të politizuar dhe jo efikase, vlerësojnë ekspertët dhe organizatat joqeveritare.

Këto organizata, në disa raste kanë kërkuar reforma dhe heqje dorë nga ndikimi politik mbi shërbyesit publik.

Uranija Pirovska, aktiviste dhe kryetare e Komitetit të Helsinkit, thotë se shumë qytetarë paraqesin ankesa nga më të ndryshmet për punën joefikase të administratës shtetërore.

“Administrata publike duhet të racionalizohet. Nuk mundet që sektori i biznesit dhe qytetarët e këtij shteti të ndajnë aq shumë mjete për administratën dhe pa pasur njohur se çfarë ata bëjnë”.

“Numri i saktë shërbyesve publik nuk dihet. Është një nga sektorët ku duhet të bëhet një analizë rrënjësore se çfarë ka brenda, çfarë kuadri, si kanë ardhur në këto pozita, e kështu me radhë. Numri thuhet se arrin në 160 mijë, por një shifër të saktë asnjëherë nuk kemi pasur, prandaj duhet parë me kujdes”, thotë Uranija Pirovska.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka thënë se forcimi i administratës është një nga prioritetet e programit të tij qeveritar.

Por, ai gjithashtu ka theksuar se largime nga puna apo shkurtim të numrit të të punësuarave nuk do të ketë duke paralajmëruar sistemim të ri për të ngritur nivelin e shërbimit.

Kryeministri ka thënë se mund të ketë aplikim të dy turneve në disa institucione me qëllim që qytetarëve t’u mundësohen shërbime deri në orët e vona të pasdites.

Gjatë fushatës zgjedhore, Zaev ka thënë se administrata asnjëherë në të ardhmen nuk do të keqpërdoret për mitingje partiake, siç pretendon të ketë ndodhur gjatë qeverisjes së VMRO DPMNE-së, të ish kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Se punonjësit e administratës janë keqpërdorur edhe për qëllime politike, flet edhe aktivistja Uranija Pirovska.

“Administrata publike me vite, apo edhe me dekada nuk ka lëvizur në drejtim të reformimit. Përkundrazi ajo shfrytëzohet si instrument nga partitë politike, para se gjithash ato në pushtet përfitojnë pikë politike dhe vota në zgjedhje”, thotë ajo.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Temelko Ristevski, thotë se Maqedonia ka ligje të mira, por ato nuk zbatohen, me qëllim që t’u shërbejnë, siç shprehet, klaneve të caktuara politike.

“Që të funksionojë sistemi në mënyrë efikase duhet që me përpikëri të zbatohen parimet Kushtetuese dhe ligjet në fuqi. Ne jemi në situatë jo të mirë sa i përket administratës pasi ligjet nuk zbatohen. Kemi politizim dhe zbatim të urdhrave partiake. Administrata është në shërbim të politikës në pushtet, por jo dhe të qytetarëve të cilët paguajnë për shërbime cilësore dhe në kohë”, thotë Ristevski.

Sa i përket reformave të paralajmëruara, ai thotë se ato mund të zbatohen, por vetëm nëse do të ketë vullnet të mirë, në të kundërtën do të përsëritet fotografia e 11 viteve të kaluara.

”Ata që janë profesionistë do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre. Të tjerët që janë sjellë në bazë të meritave partiake, ose duhet t’u nënshtrohen detyrimeve ligjore, ose të kërkojnë mundësi tjera. Zgjidhje tjetër nuk ka. Mendoj gjithashtu se duhet të kemi racionalizim të saj pasi Maqedonia është ndër vendet me numrin më të madh të shërbyesve publik”, thotë Ristevski.

Reformat në administratën shtetërore janë theksuar edhe në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian ku kërkohet administratë efikase dhe pa ndikime politike e gatshme të përballet me sfidat e integrimit euroatlantik të vendit.