Një ekip hulumtuesish që ka bërë kërkime rreth rrëzimit të fluturimit MH17 të Malaysia Airlines, ka publikuar raportin ku thuhet se ka pasur ndërhyrje të pajisjeve ushtarake ruse në rrëzimin e aeroplanit, i cili fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lampur.
Raportet, të cilat janë publikuar sot nga Bellingcat, grup hulumtues me bazë në Britani, kanë gjetur vendin e lansimit të raketave të ashtuquajtura Buk, të cilat ishin të përfshira në rrëzimin e aeroplanit MH17, në korrik të vitit 2014.
Bellingcat ka botuar fotografi të censuruara të shoferëve dhe kamionëve që pretendohet se kanë lëvizur pajisjet në vendin ku më pas u rrëzua aeroplani. Nga rrëzimi në territorin e Ukrainës lindore humbën jetën 298 veta.
Edhe në raportet e para, Bellingcat pati identifikuar se avioni ishte rrëzuar nga përdorimi i pajisjeve ushtarake ruse.
Rusia ka mohuar se luftëtarët që mbështet ajo në Ukrainën lindore ishin përgjegjës për sulmin, gjë e cila është pretenduar nga Bellingcat.
Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se 298 viktimat nga rrëzimi i aeroplanit MH17, janë pjesë e të paktën 9,900 personave, të cilët janë vrarë nga fillimi i konfliktit në Ukrainë në mes të separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave të Kievit. Konflikti nisi në mars të 2014-tës pasi Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe u akuzua se po nxiste separatizëm në të gjithë Ukrainën lindore dhe jugore.