Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës në largim, Edita Tahiri, përmes një komunikate për medie ka reaguar lidhur me ndalimin e vizitës së ish- presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në Beograd nga ana e autoriteteve të Serbisë.
Në komunikatë thuhet se ministrja Tahiri ka njoftuar Bashkimin Evropian për këtë ndalesë, duke theksuar se “ me këtë akt refuzimi Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve”.
“Zonja Atifete Jahjaga kishte respektuar procedurat zyrtare të parapara në Marrëveshjen e Brukselit dhe vizita e saj ishte për qëllime kulturore dhe humanitare”, thuhet në komunikatën e ministres Tahiri.
Ajo ka theksuar se “akti i refuzimit nga Serbia tregon qartë se Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj agresore dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe kjo po ashtu tregon se ata nuk janë të gatshëm për paqe, drejtësi dhe marrëdhënie fqinjësore midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, e cila është një objektiv kryesor i Dialogut të lehtësuar nga BE”.
Ministrja Tahiri ka kërkuar nga BE-ja që të ndërhyjë në zgjidhjen e kësaj çështjeje sa më parë që të jetë e mundur, si dhe të mundësohet vizita e ish presidentes Jahjaga, që sipas saj, është në funksion të paqes dhe fqinjësisë mes dy shteteve.