Ndryshimi i Ligjit për arsim, me të cilin shfuqizohet mbajtja e testimit ekstern në shkollat fillore dhe ato të mesme, është një nga detyrimet për të cilat është zotuar mandatari për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë, Zoran Zaev.
Nxënësit e shkollave të mesme thonë se heqja e testimit ekstern, paraqet për ta një lehtësim. Kjo veçanërisht për shkak të presionit të vazhdueshëm që kanë nga mësimdhënësit që notat e tyre të përputhen me rezultatet që ata do të tregojnë gjatë nënshtrimit të vlerësimit të dijes brenda një ore, nga i gjithë materiali që është zhvilluar brenda vitit.
“Testimi ekstern mendoj se duhet të hiqet patjetër, sepse me vite kemi ngritur zërin se ky testim përcillet me gabime të mëdha si në përpilimin e pyetjeve por edhe gjatë vlerësimit. Njëherësh të gjithë nxënësit, por edhe unë personalisht ndjej shumë stres sa herë që vjen koha e testimit”.
“Në shkollën ku mësoj, një nxënëse e dalluar nuk arriti të shpallet nxënëse e gjeneratës për shkak të një note më të ulët që kishte marrë në testimin eksetrn, ndërkohë që ishte e para gjatë të gjitha garave. Ne si nxënës kemi ngritur zërin kundër testimit ekstern edhe në protesta”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Anjeza Gorenca, nxënës në gjimnazin, “Zef Lush Marku” në Shkup.
Përderisa kryetarja e Unionit të nxënësve të shkollave të mesme në gjuhën shqipe, Majlina Cilafi thotë se testimi ekstern, i cili po zhvillohet disa vite me radhë, që nga viti 2011, nuk ka kontribuar në asnjë mënyrë në ngritjen e cilësisë së arsimit.
Ndërkaq ekspertët e arsimit thonë se në Maqedoni nevojiten reforma thelbësore në arsim sepse pjesa më e madhe e gjeneratave më të reja, pavarësisht kryerjes së shkollimit të mesëm dhe atij sipëror, nuk janë konkurrent në tregun e punës.
“Askund në botë nuk parashihen sanksione për mësimdhënësit bazuar në rezultatet që tregojnë nxënësit gjatë një testimi brenda një ore. Gjithsesi, ka shumë nevojë për përmirësimin e cilësisë së arsimit, sepse shumica e nxënësve pasi të kenë kryer shkollën, me njohuritë që posedojnë, shumë vështirë arrijnë të gjinden në tregun e punës”, thekson ish- ministri i Arsimit, Nenad Novkovski.
Ndryshe, në Lidhjen Social Demokrate, e cila drejtohet nga mandatari për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë, Zoran Zaev kanë theksuar se dënimet dhe sanksionet për punonjësit nuk paraqesin në asnjë mënyrë mekanizma për ngritjen e cilësisë së arsimit.
Përderisa nga VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, vendimin për shfuqizimin e mbajtjes së testimit ekstern e kanë cilësuar si vendim populist në dëm të gjeneratave të reja.
Drejtorët e shkollave fillore dhe atyre të mesme kanë shpallur listën e mbi 180 mijë nxënësve si dhe datat për mbajtjen e testimit ekstern në fillim të muajit qershor, konform ligjit aktual për arsim.