Presidenti i rizgjedhur i Iranit, Hasan Rohani ka thënë se iranianët janë “fituesit e vërtetë” të zgjedhjeve presidenciale.
Ai ka thënë se Irani zgjodhi “angazhimin me botën” duke e rizgjedhur atë president, ndërkaq ka refuzuar ekstremizmin.
Këto deklarata ai i bëri në televizionin kombëtar, pasi u shpall fitues i zgjedhjeve të 19 majit.
Ministri i Brendshëm, Abdolreza Rahmani Fazli ka thënë se Rohani ka fituar 57 për qind të votave, ndërkaq rivali i tij Ebrahim Raisi ka fituar 38.5 për qind të votave, ndërkaq dy kandidatët e tjerë në këto zgjedhje nuk kanë arritur të marrin as nga 1 milion vota.
Zyrtarët thonë se rreth 41 milionë persona kanë marrë pjesë në këto zgjedhje ose 73 për qind e trupit elektoral.