Oda Ekonomike Amerikane në Kosovës i ka kërkuar Qeverisë në detyrë të Kosovës, që të pezullojë zbatimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Aty specifikohet sidomos pezullimi i mbledhjes së premiumeve të sigurimeve shëndetësore, që ishte planifikuar të fillojë nga 1 korriku i këtij viti.
Çështja e mbledhjes së premiumeve, e paraparë me Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, është ngritur si temë diskutimi pas rënies së Qeverisë së Kosovës dhe shpërbërjes së Kuvendit, dhe njëkohësisht është cilësuar si e kundërligjshëm nga sindikalistët shëndetësorë.
Por, për zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, mbledhja e premiumeve, pavarësisht ndryshimeve në qeverisjen e Kosovës, do të nisë në përputhje me planin e paraparë, nga 1 korriku i këtij viti.
Në anën tjetër, Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka i ka thënë Radios Evropa e Lirë se arsyeja pse kanë kërkuar nga Qeveria në largim të pezullojnë Ligjin për sigurime shëndetësore është mospërmbushja e kritereve të parapara me ligj.
“Ministria e Shëndetësisë nuk ka përmbushur kriteret e nevojshme të parapara me ligj dhe rrjedhimisht kërkojmë që kjo të shtyhet deri më 1 janar të vitit 2018 ose pas ndryshimit të ligjit, duke e paraparë që ligji për sigurime shëndetësore është përfshirë në agjendën legjislative të vitit 2017. Ne mendojmë që nuk është praktikë që një ligj që është paraparë të ndryshohet, të hyjë brenda këtij viti në fuqi”, ka thënë Zeka.
Ndërkaq, këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë, Valbon Krasniqi tashmë ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se Ministria e Shëndetësisë po vazhdon të punojë sipas planit të paraparë sa i përket themelimit të fondit për sigurime shëndetësore. Sipas tij, fillimi i mbledhjes së premiumeve do të vijojë sipas parashikimeve.
“Ministria e ka dorëzuar në Qeveri një plan deri në fillimin e mbledhjes së premiumeve dhe ne po vazhdojmë me proces. Nuk kemi ndryshim të aktiviteteve”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë, Arian Zeka ka shtuar se përgatitjet e tanishme për hyrjen në fuqi të Ligjit për Sigurime Shëndetësore, nuk janë adekuate. Sipas tij, edhe periudha e pasigurisë politike, kërkon që ky ligj duhet të shtyhet dhe të mos hyjë në fuqi nga 1 korriku, 2017.
“Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar nga Qeveria në largim pezullimin e implementimit të ligjit për sigurime shëndetësore dhe fillimin e mbledhjes së premiumeve të sigurimeve shëndetësore, duke pasur parasysh periudhën në të cilën po futemi, periudhën e një funksionimi më të kufizuar të institucioneve të vendit për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe krijimit të Qeverisë së re”, ka thënë Zeka.
Ndërkohë, edhe sindikalistët e shëndetësisë e kanë vlerësuar si të kundërligjshëm fillimin e mbledhjes së të hollave nga ana e qytetarëve.
Blerim Syla , kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë ka thënë se Ligji i sigurimeve shëndetësore nuk i plotëson kushtet për mbledhjen e premiumeve.
“Federata Sindikale e Shëndetësisë qëndron prapa atyre kërkesave që më 1 korrik nuk mund të fillohet me sigurimet shëndetësore”, ka thënë Syla.
Sidoqoftë, njohës të çështjeve ligjore i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Ligji nuk është në shpërputhje dhe se vendimet e Qeverisë janë të plotfuqishme.
Vendimet që i ka marrë Qeveria e Kosovës, në kohën kur nuk ka qenë në dorëheqje, sipas tyre, janë vendime që duhet të zbatohen dhe është obligim i institucioneve për zbatimin e tyre.
Qeveria e Kosovës miratoi vitin e kaluar Rregulloren për Menaxhimin Financiar të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe Statutin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, duke planifikuar ndarjen e 17 milionë eurove për të punësuarit në sektorin publik dhe rreth 14 milionë euro për sektorin privat. (REL)