Gjashtë muaj afat kishte Qeveria e Isa Mustafës, që të themelonte Bordin Mbikëqyrës dhe Bordin Menaxhues të Kombinatit Trepça, që nënkuptonte edhe fillimin e zbatimit të Ligjit për të, por kjo nuk u arrit që prej miratimit të kornizës ligjore.
Tani, i gjithë procesi, sipas përfaqësuesve të kombinatit Trepça, mbetet i ngrirë deri pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe krijimit të Qeverisë së re.
Drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se mos përfundimi i këtij procesi ka pasur efekte negative për Trepçën, pasi që nukështë arritur të fillohet me politikat zhvillimore të kësaj ndërmarrje.
“Me rënien e Qeverisë së Kosovës do të ketë prolongim të zgjedhjes së Bordit Mbikëqyrës dhe Bordit menaxhues deri në formimin e qeverisë së re. Kjo ka ndikuar shumë në zhvillimin e Trepçës pasi që nuk mund të shënohet epoka e re zhvillimore pa u regjistruar ndërmarrja e re që më pas kjo ndërmarrje të hyjë në politikat zhvillimore”, thekson Tmava.
Your browser doesn’t support HTML5
Bordi Mbikëqyrës i Trepçës i cili sipas Ligjit është dashur të themelohet brenda gjashtë muajve nga miratimi i ligjit në Kuvendin e Kosovës, do të duhej të përbëhej nga nëntë anëtarë, të cilët nuk mund të jenë anëtarë të forumeve politike. Ata thuhet se duhej të ishin ekspertë në fusha të caktuara, që nevojiten për mbikëqyrjen e kombinatit.
Ky bord më pas do të duhet të zgjedh edhe anëtarët e Bordit Menaxhues të Trepçës.
Kuvendi i Kosovës miratoi në tetor të vitit të kaluar Ligjin për Trepçën me të cilin, siç thanë deputetët, gjiganti ekonomik rimëkëmbet dhe rikthehet në treg.
Ligji e përcaktoi Qeverinë e Kosovës si pronare të 80 për qind të aksioneve të kombinatit, me synimin, siç thotë, të rikthimit të kontrollit në gjithë gjigantin.
Në kohën kur ishte miratuar Ligji për Trepçën udhëheqësit e institucioneve të Kosovës ishin shprehur të gatshëm që të përfundohet sa më shpejt çdo procedurë e nevojshme që të fillohet me zbatimin e këtij Ligji.
Ata ishin shprehur optimistë se me miratimin e Ligjit për Trepçën, kësaj kompanie do t’i kthehet nami që ka pasur në të kaluarën.
Por, për përfaqësues të sindikatëssë Trepçës, institucionet kompetente neglizhuan gjithë procesin dhe i krijuan humbje të mëdha ndërmarrjes.
Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së Trepçës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Trepça ka mbetur pa menaxhment dhe pa mbikëqyrje. Sipas tij, Trepça ka mbetur në vakum institucional dhe pasojat do të jenë të mëdha.
“Gjendja e Trepçës krahasuar me vitet paraprake është shumë më keq edhe sa i përket organizmit, edhe sa i përket prodhimit. Krahasuar me vitin paraprak këtë vit kemi 5,700 tonë më pak prodhim të xehes. Ne kemi menduar që me kalimin e Ligjit për Trepçën do të kemi zhvillim ekonomik të Trepçës, do të formohet bordi, por kjo është një neglizhencë e qeverisë e cila nuk i ka zgjedhur bordet dhe pasojat e kësaj do t’i bartim të gjithë”, ka theksuar Sadiku.
Për gjendjen jo të mirë në kombinatin metalurgjik Trepça flet edhe Isuf Beqiri, minator në minierën e Stantërgut.
“Kurrë me keq kombinati Trepça nuk ka qenë se sa që është tani. Ligji nuk ka filluar ta zbatohet, kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë për të bërë bordin dhe tani jemi në një gjendje jo të mirë, i ka humbur vleftën kombinatit i cili në të kaluarën e ka mbajtur tërë Ish Jugosllavin e tani nuk po arrin të na mbajë 1 mijë punëtorë”, shprehet Beqiri..
Trepça llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Në vitet e tetëdhjeta, aty punonin mbi 20 mijë punëtorë.
Ndërkaq, vitet e fundit, ajo e kaloi fazën e mbijetesës dhe nuk numëronte më shumë se 1,400 punëtorë.
Trepça, sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.
Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keq-shfrytëzimit në të kaluarën.
Nisur nga i gjithë ky degradim i kombinatit që është bërë gjatë këtyre viteve të pasluftës, ekspertë të fushës, kishin vlerësuar se gjigantit i duhet kohë të rimëkëmbet, por, se kjo mund të arrihet me një punë të madhe dhe me njerëz profesionistë. (REL)