Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka tentuar që të ndërprejë hetimet e FBI-së ndaj ish-këshilltarit të tij për siguri kombëtare, Michael Flynn, i cili po hetohet për lidhjet e tij me Rusinë, gjatë një takimi me drejtorin e atëhershëm të FBI-së, James Comey, vetëm pak kohë pas marrjes së detyrës, kanë raportuar mediat.
Comey, i cili është shkarkuar nga Trump më 9 maj, kishte darkuar me Trumpin në Zyrën Ovale ,një ditë pasi Flynn ishte shkarkuar në muajin shkurt dhe më pas ai kishte shkruar një memo për kërkesën e Trumpit që të ndërpresë hetimin, ka raportuar New York Times, Reuters, AP dhe mediat e tjera, të cilat kanë thënë se e kanë parë këtë shkresë. Mediat kanë cituar burime të cilët kanë thënë se e kanë parë këtë shkresë.
Your browser doesn’t support HTML5
Shtëpia e Bardhë menjëherë ka mohuar se Trump i ka kërkuar Comey që të ndërpresë hetimin- një lëvizje kjo që mund të shihet si pengesë në drejtësi, e që paraqet vepër penale.
Raportimet për këtë çështje vijnë pas një jave trazirash në Shtëpinë e Bardhë, të cilat filluan pas shkarkimit të Comey dhe vazhduan pas raportimeve se Trump kishte shpalosur informacione të klasifikuara, të siguruara nga një aleat i SHBA-së, gjatë takimit me përfaqësuesit rusë.
Sipas raportimeve të fundit, shkresa e shkruar nga Comey tregon se si Trump i kërkoj atij që të ndërpres hetimin e FBI-së ndaj Flynn, menjëherë pasi Flynn u shkarkua pasi kishte keqinformuar nënpresidentin amerikan, Mike Pence për bisedat e tij me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara.
“Shpresoj se do ta gjesh rrugën që ta lësh këtë çështje për Flynin. Ai është njeri i mirë. Shpresoj që do të heqësh dorë nga kjo çështje”, i ka thënë Trump drejtorit të FBI-së, sipas shkresës së Comey.
Më vonë, Departamenti i Drejtësisë tha se Flynn dyshohet se ishte në rrezik ndaj shantazheve nga Rusia.
The Times ka thënë se Comey ka dokumentuar për presionin e “papërshtatshëm” të Trumpit mbi hetimet e FBI-së për ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe për marrëveshjen e mundshme mes ish-ndihmësit të Trumpit dhe Kremlinit.
AP ka raportuar se Comey ka dokumentuar bisedimet që ka pasur me Trumpin në disa memo sepse ai ishte ndjerë se takimet me presidentin kishtin qenë të “çuditshme” dhe “shqetësuese”.
Kjo agjenci ka thënë se Comey është i gatshëm të dëshmojë për eksperiencat e tij me Trumpin por ai dëshiron që një gjë të tillë ta bëj në publik dhe jo në mbledhje të mbyllura, siç kanë sugjeruar disa komitete të Kongresit.
Si AP ashtu edhe Times kanë raportuar se gjatë darkës në Zyrën Ovale me Comey, Trump kishte pyetur nënpresidentin Mike Pence dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Jeff Sesssions që të largohen nga zyra, përpara se të diskutonte për hetimin ndaj Flynn me drejtorin e FBI-së.
The Times ka thënë se gjatë këtij takimi, Trump kishte dënuar një seri të rrjedhjeve të informacioneve nga qeveria në media dhe ka thënë se drejtori i FBI-së duhet ta konsiderojë që t’i ndjek penalisht gazetarët që publikojnë informacione të klasifikuara.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se raportimet e mediave për shkresën e Comey “nuk janë të vërteta ose nuk janë përshkrim i vërtetë i bisedës në mes të presidentit dhe zotit Comey... Presidenti kurrë nuk i ka kërkuar Comeyt ose dikut tjetër që të ndërprejë ndonjë hetim”.
Demokratët në Kongres janë shprehur të shqetësuar me këto raportime.
“Kjo është njëra prej akuzave më të rënda që mund të bësh ndaj një lideri- se ata, në një formë tentojnë të vonojnë apo pengojnë drejtësinë”, ka thënë Dick Durbin, senator demokrat nga Illinois.
“Është befasuese të mendosh se presidenti i Shteteve të Bashkuara do ta konsideronte që të kërkonte nga drejtori i byrosë hetuese që të ndalë një hetim për dikë”, ka thënë ai.
Ndërkaq lideri i demokratëve në Senat, Charles Schumer ka thënë se “shteti është duke u testuar në mënyra të paprecedentë”.
“Nëse del të jetë e vërtetë, do të jetë dëshmia më e fortë se presidenti ka tentuar të pengojë hetimin për lidhjet me Rusinë të bashkëpunëtorit të tij”, ka thënë senatori demokrat, Ben Cardin.
Republikanët gjithashtu kanë shprehur shqetësim dhe kanë kërkuar që të shohin shkresën e Comey, në të cilën janë bazuar raportimet e mediave.
Jason Chaffetz, kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve,që mbikëqyrë hetimin mbi çështjen ruse, ka thënë se këto raportime kanë ngritur shqetësime “për ndërhyrjet e papërshtatshme ndaj një hetimi që ende vazhdon”.
Chaffetz ka thënë se komiteti dërshiron që të shoh memorandumin dhe ai është i gatshëm që një kërkesë të tillë të bëj në Departamenin e Drejtësisë.
Senatori republikan, John McCain ka thënë se publikimet e fundit janë “në shkallën dhe madhësinë e njëjtë të Watergate”.
“E kemi parë këtë film edhe më parë”, tha ai duke iu referuar skandalit që bëri që presidenti amerikan, Richard Nixon të jepte dorëheqje.
Ai po ashtu e quajti “të papranueshëm”, takimin në mes Trumpit dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov në Zyrën Ovale javën e kaluar.
“E njoh Lavrovin qe 30 vjet, ai është aparaturë e vjetër e KGB-së dhe Putini është një vrasës dhe bandit”, ka thënë McCain.
“Dhe ta ftosh Lavrovin në Zyrën Ovale dhe të jesh miqësor me këtë person, shefi i të cilit ka dërguar avion për të sulmuar spitalet në Alepo, mendoj se është e papranueshme”, është shprehur senatori McCain. (M.S)