Çitaku në OKB: Kosova e lodhur nga standardet e dyfishta në dialog

Vlora Çitaku, fotografi nga arkivi

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku tha para Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Kosova është e lodhur nga standardet e dyfishta në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Përderisa jemi dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar në dialog, jemi të lodhur nga standardet e dyfishta”.

Në njërën anë, Serbia vjen dhe na thotë se janë për paqe dhe pajtim, ndërsa në anën tjetër ata keqpërdorin për çdo ditë Interpolin dhe urdhëresat e deponuara kundër luftëtarëve të lirisë. Si duket ka një model të vjetër të brutalitetit që është e shoqëruar me burokraci të ngathët”, tha Çitaku.

Si pasojë e kësaj burokracie, tha Çitaku, ndodhi edhe ndalimi i ish-kryeminsitrit të Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.

Ajo çfarë ndodhi ndaj zotit Haradinaj flet shumë për gjendjen e mendësisë që akoma mbizotëron në Serbi”, u shpreh ambasadorja Çitaku.

Sipas Çitakut, Serbia e di se “e ka humbur betejën në Kosovë.

Serbia e di shumë mirë që e ka humbur betejën në Kosovë. Në aspektin ushtarak, e ka humbur betejën në vitin 1999. Politikisht e kanë humbur më 2008 dhe ndërkombtarisht dhe juridikisht e kanë humbur më 2009 me vendimin e GJND-së”, tha ajo.

Duke folur për pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadorja e Kosovës, tha se një gjë e tillë mund të ndodhë, vetëm kur Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës.

Për të ndodhur pajtimi si i tillë, Serbia duhet ta pranojë Kosovën si të barabartë dhe ta pranojë si shtet dhe gjithashtu duhet të pranojë përgjegjësinë që bartë”, u shpreh Çitaku.

Në këtë takim, Serbia është përfaqësuar nga ministrja e Drejtësisë, Nela Kuburoviq.

Kuburoviq tha se shteti i saj ka vazhduar të marrë pjesë në dialogun e Brukselit dhe është sjellë në mënyrë konstruktive dhe përgjegjëse.

Por ajo tha se “trajtimi i Prishtinës në dialog dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve nga ana e Bashkimit Evropian, është i papranueshëm për Serbinë”.

Një sjellje e tillë ndodhi në mars, kur Kosova miratoi një rezolutë, për suspendimin e dialogut për shkak të një personi, i cili akuzohet për krimet më të rënda”, tha ajo, duke iu referuar ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kuburoviq tha se Serbia e konsideron skandaloze vendimin e një gjykate në Colmar të Francës, që e liroi Haradinajn, pasi siç tha ajo, Haradinaj ka qenë i dyshuar se ka kryer “krimet më të rënda të luftës.

Ky vendim nuk është fitore e Kosovës dhe Metohisë por është fitore e krimit dhe nuk është humbja jonë por është humbja e ligjit dhe drejtësisë”.

Autoritetet në Prishtinë duhet ta kuptojnë se ndëshkimi i personave që kanë kryer krime janë pjesë e procesit të normalizimit”, tha ministrja Kuburoviq.

Seanca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për gjendjen në Kosovë në tre muajt e kaluar, nisi me paraqitjen e raportit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e misionit të OKB-së në Kosovë dhe gjendjes së përgjithshme.

Raportin e sekretarit të përgjithshëm e ka paraqitur Përfaqësuesi i Posaçëm në Kosovë, Zahir Tanin, dhe ai përfshinë periudhën prej 16 janarit deri më 15 prill.

Sekretari Guterres, në raport, ka shprehur shqetësimin e tij me “pengesat në përparimin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, si dhe me rritjen e nacionalizmave”.


Guterres thekson faktin se “dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit me lehtësimin e BE-së, është mekanizmi më i mirë për zgjidhjen paqësore të dallimeve në favor të të dyja palëve” por nënvizon se zbatimi i marrëveshjeve që dalin nga dialogu në periudhën që po shqyrtohet ka qenë “jashtazakonisht i ngadalshëm”.

Ai ka konstatuar se “nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë” si dhe ka shprehur shqetësimin me “rritjen e ndjenjave etnike-nacionaliste”.

Guterres tha se çështja e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur paraqet “një përparësi humanitare që kërkon vendosmëri politike të lidershipit nga të dyja palët” dhe ka nënvizuar edhe faktin e kthimit të ngadalshëm të personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre. (REL)