Partitë e koalicionit kërkojnë nga presidenti Gjorge Ivanov që sa më parë të veprojë në përputhje me kushtetutën dhe t’i dorëzojë mandatin kreut social-demokrat, Zoran Zaev për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.
Programi qeveritar është dëshmi se partitë e shumicës së garantojnë unitarizmin dhe kushtetutën e vendit, thotë LSDM-ja duke komentuar përgjigjen e presidentit Ivanov ndaj letrës së kryeparlamentarit Talat Xhaferi për mandatimin e Zaevit për kryeministër.
“Mendoj se nuk ekzistojnë pengesa, nuk ka as logjikë që mandati të mos i jepet kryetarit Zoran Zaev. Ai këtë duhet ta bëjë sa më parë, pasi pasojat tashmë po i ndjejnë qytetarët e Maqedonisë”, thotë Dragan Tevdovski nga LSDM-ja.
Në këtë parti thonë se veprimi i Ivanovit është në funksion të mbrojtjes së Gruevskit nga drejtësia, përpara së cilës do të përballet për të gjitha shkeljet e bëra gjatë qeverisjes së tij.
Ndërkaq, BDI e Ali Ahmetit, thotë se qëndron prapa shumicës së re dhe nevojës së formimit të qeverisë, duke i dhënë kështu mbështetje Zaevit në marrjen e mandatit nga presidenti Ivanov.
“Zoran Zaevi ka mbështetjen e BDI-së që të shkojë tek presidenti për të paraqitur të gjitha argumentet se ne jemi për karakterin unitar të shtetit, e jo për teatër apo për lojëra të tjera”, thonë në Bashkimin Demokratik për Integrim.
Vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për të mos e mandatuar për kryeministër liderin social-demokrat, Zoran Zaev, është i pritur për njohësit e çështjeve juridike.
Ata thonë se presidenti edhe kësaj radhe ka dëshmuar se është në shërbim të VMRO-së së Nikolla Gruevskit dhe jo të kushtetutës apo kauzës kombëtare, me kërkesën drejtuar Zaevit për të ofruar dëshmi se koalicioni i ri nuk do ta rrënojë karakterin unitar të shtetit.
Mersim Pollozhani, ekspert juridik dhe ish-zëvendësministër i drejtësisë, i tha Radios Evropa e Lirë se Ivanov më nuk ka as kredibilitetin më të vogël pasi, siç thotë, ka dëshmuar qartë se është në shërbim të plotë të politikave të Gruevskit.
“Ai me sjelljet e këtilla e delegjitimoi veten e tij. Megjithëse i ka të njohur mekanizmat për formimin e qeverisë, ai edhe më tutje sillet si një ushtar partiak i dirigjuar nga padroni i tij. Unë vlerësoj se qeveria duhet të formohet dhe do të formohet, me apo pa vullnetin e presidentit meqë mandatin shumica e re e ka fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare”, thotë Pollozhani duke shtuar se kërkesa e Ivanovit për garanci nga ana e Zaevit është vetëm ‘alibi për zvarritjen e procesit në favor të politikave të Gruevskit’.
Në një njoftim me shkrim, të mërkurën, presidenti Ivanov tha se kishte marrë letrën e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, i cili i kërkonte dhënien e mandatit kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, por Ivanov sipas letrës kthyese, mbetet në qëndrimin se “e ashtuquajtura Platformë e Tiranës dhe asnjë dokument tjetër, akt apo veprim në kundërshtim me kushtetutën e Maqedonisë, nuk mund të jetë kusht dhe as bazë për formimin dhe punën e Qeverisë së Maqedonisë.”
Kryetari i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi edhe më 4 maj, i kishte dërguar presidentit Ivanov një letër me kërkesën për dhënien e mandatit, por përveç njoftimit nga presidenca se Ivanov do të veprojë në përputhje me kushtetutën, sqarime tjera nuk ka marrë.
Kriza në Maqedoni u përshkallëzua në dhunë më 27 prill kur protestuesit e nismës “Për Maqedoni të bashkuar” pushtuan Kuvendin duke lënduar rëndë shumë deputetë të shumicës parlamentare të cilët paraprakisht zgjodhën Talat Xhaferin për Kryetar të Kuvendit të Maqedonisë.(REL)