Ivanov nuk e jep mandatin, i kërkon garanci Zaevit

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev

Presidenti Gjorge Ivanov i është përgjigjur letrës së kryetarit të Kuvendit për dhënien e mandatit Zoran Zaevit për formimin e qeverisë së re.

Në letrën e kreut të shtetit thuhet se Ivanov pret nga lideri i LSDM-së të përmbushë premtimin e dhënë se “partnerët e koalicionit do të sigurojnë garanci për forcimin e karakterit unitar të shtetit dhe se gjithçka do të jetë në përputhje më Kushtetutën e Maqedonisë”.

“Presidenti Ivanov mbetet në qëndrimin se e ashtuquajtura Platformë e Tiranës dhe asnjë dokument tjetër, akt apo veprim në kundërshtim me kushtetutën e Maqedonisë, nuk mund të jetë kusht, e as bazë për formimin dhe punën e Qeverisë së Maqedonisë. Lidhur me mandatin, Presidenti do të veprojë në përputhje me kushtetutën dhe praktikën e deritanishme”, thuhet në letrën me shkrim të kabinetit të presidentit.

Nga LSDM-ja nuk kanë komentuar komunikatën e presidentit, por thonë se kryetari i kësaj partie, Zoran Zaev edhe njëherë do t’i bëjë me dije kreut të shtetit se programi qeveritar i publikuar kohë më parë është garanci mbi shtetësinë e Maqedonisë dhe se nuk bëhet fjalë për asnjë platformë të imponuar nga jashtë.

Zaev kishte deklaruar se së bashku me partitë e koalicionit do të vizitojnë presidentin për t’ia bërë me dije Ivanovit se veprimet e tij janë kundërligjore.

VMRO- DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit vlerëson se mosdhënia e mandatit liderit Social-Demokrat “është në vijë të mbrojtjes së interesave kombëtare.”

“Ne si parti politike presim që çdo zyrtar i zgjedhur në Maqedoni të ndërmerr hapa në përputhshmëri me Ligjet e Maqedonisë dhe mbi të gjitha t’i mbrojë interesat kombëtare të Maqedonisë”, ka deklaruar deputeti i VMRO-së, Zoran Ilievski.

Përgjigja e Ivanovit vjen pas letrës së kryeparlamentarit Talat Xhaferi, i cili edhe njëherë kërkoi nga presidenti mandatimin e Zoran Zaevit për kryeministër.

Xhaferi një letër e kishte dërguar më 4 maj, por edhe atëherë nga kabineti kishin njoftuar se presidenti do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë, por pa saktësuar qëndrimin e tij lidhur me zhbllokimin e formimit të qeverisë së re.

Kriza në Maqedoni kulmoi në dhunë më 27 prill kur protestuesit e nismën “Për Maqedoni të bashkuar” pushtuan Kuvendin pak çaste pasi shumica e re parlamentare zgjodhi Talat Xhaferin për Kryetar të Kuvendit të Maqedonisë. (REL)